Kryeprokurori Gashi ricakton tri lëndë të rastit të Arlinda Zekajt, hetohen edhe veprimet institucionale

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim që tri lëndë penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt të ricaktohen nga Prokuroria Themelore në Pejë në atë të Prishtinës. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimi është marrë për të siguruar trajtim efikas, objektiv dhe të paanshëm të lëndëve, duke marrë parasysh…

Lajme

27/10/2026 15:45

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim që tri lëndë penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt të ricaktohen nga Prokuroria Themelore në Pejë në atë të Prishtinës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimi është marrë për të siguruar trajtim efikas, objektiv dhe të paanshëm të lëndëve, duke marrë parasysh rëndësinë e rastit dhe pasojat e rënda, transmeton lajmi.net.

Paralelisht, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është duke analizuar veprimet dhe mosveprimet e mundshme institucionale lidhur me rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj para vrasjes së saj.

Në njoftim thuhet se do të kërkohet llogaridhënie për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprim që mund të konstatohet.

“Në rast se evidentohen shkelje ose përgjegjësi, do të ndërmerren masa rigoroze dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilin zyrtar, në përputhje me ligjin dhe kompetencat përkatëse”, thuhet në komunikatë.

Zyra e Kryeprokurorit ka theksuar se vlerësimi do të bazohet në fakte, dokumentacion dhe prova, pa paragjykuar përgjegjësinë e ndonjë personi.

Njoftimi i plotë:
Kryeprokurori i Shtetit ricakton tri lëndë penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë në rastin e Arlinda Zekajt
Prishtinë, 27 tetor 2026 – Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, në ushtrim të kompetencave të tij ligjore, ka nxjerrë tri (3) vendime për ricaktimin e lëndëve penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Vendimet janë marrë në mbështetje të nenit 20, paragrafi 2, të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë të këtyre çështjeve, pasojat e rënda që kanë rezultuar, si dhe nevojën për të siguruar trajtimin e mëtejmë efikas, objektiv dhe të paanshëm të lëndëve. Ricaktimi i këtyre lëndëve synon të sigurojë që ato të trajtohen me kujdesin, vëmendjen dhe seriozitetin e duhur, në përputhje me ligjin dhe me rëndësinë e rrethanave të secilit rast.
Paralelisht me ricaktimin e lëndëve, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është duke analizuar në mënyrë të gjithanshme të gjitha veprimet dhe mosveprimet eventuale institucionale lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera. Ky proces përfshin shqyrtimin e kronologjisë së veprimeve të ndërmarra, vendimeve të nxjerra, vlerësimit të rrezikut dhe masave të ndërmarra për mbrojtjen e saj, si dhe të çdo rrethane tjetër relevante për përcaktimin e përgjegjësive eventuale. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do të kërkojë llogaridhënie të plotë për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprim që mund të konstatohet. Në rast se evidentohen shkelje ose përgjegjësi, do të ndërmerren masa rigoroze dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilin zyrtar, në përputhje me ligjin dhe kompetencat përkatëse.
Qëllimi i këtij procesi është që të gjitha rrethanat të sqarohen plotësisht, të identifikohen mangësitë eventuale dhe të sigurohet që përgjegjësia institucionale dhe individuale të trajtohet me seriozitetin e duhur. Vlerësimi do të zhvillohet mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe provave përkatëse, pa paragjykuar paraprakisht përgjegjësinë e ndonjë personi.
Kryeprokurori i Shtetit rithekson se mbrojtja e jetës, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia institucionale janë detyrime që nuk mund të neglizhohen. Institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësi të veçantë që çdo raportim të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme dhe që çdo dyshim për mosveprim ose trajtim të papërshtatshëm të shqyrtohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbetet e përkushtuar që ky proces të zhvillohet me paanshmëri, profesionalizëm dhe vendosmëri, në funksion të zbatimit të ligjit, garantimit të llogaridhënies dhe ruajtjes së besimit të publikut në sistemin prokurorial./lajmi.net/