Këshilli opozitar nesër proteston në Shkup (VIDEO)

Lajme

08/05/2016 15:50

Sot nëpërmjet një konference për media këshilli opozitar në Shkup ka bërë thirrje për protestën e neserme shqiptare me moton “DITA D: për Drejtësi, Dinjitet, Demokraci”.

Të hënën (më 9 Maj)  në Ditën e Evropës, por edhe në ditën kur kujtohet ngjarja e hidhur e vitit të kaluar në Kumanovë, do të protestohet dhe marshi protestues do të niset nga parku i Çairit në Shkup në orën 17.30 dhe para orës 18.30 do të ndalojë para Qeverisë. Aty do të lexohet deklarata e protestës dhe do të mbahen vetëm dy fjalime nga dy përfaqësues të Këshillit Opozitar. Flamurët dhe simbolet e lejuara në të janë vetëm flamurët shqiptarë dhe asnjë simbol tjetër partiak ose politik.

“Meqë zëri shqiptar ka mbetur i papërfaqësuar, sepse interesin tonë nuk e mbron askush më, neve nuk na ka mbetur asnjë shteg tjetër, pos të protestojmë dhe të deklarohemi se – përkundër asaj se çifti VMRO-BDI ka bërë shkarje nga Europa – shqiptarët nuk shohin asnjë rrugë tjetër, pos Europës. Kjo protestë duhet ta ngrejë zërin edhe kundër të gjithë atyre që kanë lejuar, kanë bërë ose kanë inskenuar procese të montuara politike, për shkak të të cilave sot po kalben burgjeve dhjetëra shqiptarë të pafajshëm. Nëse nuk reagojmë, ata janë në gjendje t’i përsërisin ata skenarë. Prandaj duhet të reagojmë dhe të protestojmë,”, thuhet në një komunikatë drejtuar mediave./Gazeta Express

YouTube player