​Kërkohet përshpejtim i ritmit për përgatitjet për Lojërat Mesdhestare

Kosova po përgatitet për një cikël të gjerë investimesh infrastrukturore në funksion të Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat pritet të shënojnë një kthesë të rëndësishme për sportin në vend. Institucionet përgjegjëse kanë prezantuar planet dhe dinamikën e realizimit të projekteve kryesore, të cilat përfshijnë objekte të reja sportive, rindërtim dhe modernizim të kapaciteteve ekzistuese, si…

Sport

04/01/2026 11:25

Kosova po përgatitet për një cikël të gjerë investimesh infrastrukturore në funksion të Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat pritet të shënojnë një kthesë të rëndësishme për sportin në vend.

Institucionet përgjegjëse kanë prezantuar planet dhe dinamikën e realizimit të projekteve kryesore, të cilat përfshijnë objekte të reja sportive, rindërtim dhe modernizim të kapaciteteve ekzistuese, si dhe krijimin e kushteve për organizimin e një ngjarjeje të nivelit të lartë ndërkombëtar.

Duke folur për vlerën dhe shtrirjen e investimeve, Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, ka zbuluar për KosovaPress pikat kyçe infrastrukturore në të cilat do të investohet gjatë vitit 2026.

“Në terren do të kemi rikonfigurimin e qendrës së studentëve që do të shërbejë si fshat olimpik, që do të pranojë akomodimin e një numri të madh të sportistëve dhe të 12 shkollave ose palestrave të shkollave në kryeqytet që shërbejnë si hapësira për stërvitje. Pastaj do të kemi investime shumë planëshe, masive në Pallatin e Rinisë dhe të Kulturës dhe të Sportit në kryeqytet. Do të thotë tash është nënshkruar kontrata me Bankën Evropiane për Investime për zhvillimin e projektit ideor dhe skematik, i cili do të jetë donacion për shtetin e Kosovës dhe që i paraprin pastaj negocimit të kredisë ndërkombëtare për të siguruar ekzekutimin e një projekti që vlera totale e tij do të jetë ndërmjet 50 dhe 60 milionë euro. Pastaj do të kemi ngritjen e kompleksit të pishinave ose qendrës akuatike që quhet, i cili do të do të jetë projekt nga e para, do të ndërtohet nga fillimi. Tani jemi në fazën e përcaktimit të lokacionit për këtë kompleks masiv. Është interesant që shumë pak shtete e kanë këtë lloj të infrastrukturës sepse edhe është e kushtueshme në realizim, po edhe më e kushtueshme në mirëmbajtje. Pastaj do të kemi edhe ngritjen e kompleksit të qendrës sportive në Bërnicë ose në ndonjë lokacion që do të na ë propozohet fillimisht, pastaj institucionet marrin vendimet përkatëse. Do të thotë në tërësi do të kemi një vlerë të përafërt prej 253 milionë euro që do të investohet në të gjithë ciklin e objekteve, komplekseve sportive të cilat i vihen në dispozicion Lojërave Mesdhetare 2030”, bën të ditur Bislimi.

Në anën tjetër, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka vlerësuar se koha është faktori kyç dhe se viti 2026 duhet të shënojë fillimin konkret të ndërtimit të infrastrukturës sportive.

“Është obligative që 2026-ta të fillon, sepse nuk kemi kohë më…Objektet sportive duhet kohë, të bëhet projekti i tyre, të ndërtohet, edhe të vjen në funksion. Kjo kërkon kohë. Ne nuk kemi kohë të humbim. 2026-ta duhet të jetë vit vendimtar i nisjes të objekteve të reja të cilat janë paraparë të bëhen, por edhe ato të cilat duhet të përmirësohen apo rindërtohen, ato ekzistuese po flas”, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, Kryetari i Federatës së Sporteve Universitare, Musa Selimi, ka theksuar se procesi i deritanishëm dhe mbështetja ndërkombëtare dëshmojnë se Kosova është në rrugën e duhur. Ai ka nënvizuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare do të jetë moment historik për sportin kosovar.

“Vetë asambleja tash së fundi në Portugali e dëshmoi që Kosova është në rrugë të mirë. Duhet të punojmë fort në mënyrë që t’i krijojmë kushtet, por edhe ta presim sepse nuk na mungon asgjë më pak se sa shtetet tjera që ne po kemi tash rast në universiadat e ndryshme, në kampionate evropiane, botërore po marrim pjesë, besoni që nuk kanë diçka më tepër. Përkundrazi, ne e kemi përgjegjësinë më të madhe kur jemi nikoqir, ndoshta edhe për shkak të traditës së mikpritjes që e kemi në vendin tonë. Dhe në këtë drejtim Kosovën e pret një e ardhme e ndritshme në sport. Lojërat Mesdhetare do të jenë çelësi dhe vula e zhvillimit të sportit në Kosovë”, deklaroi Selimi.

Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë një nga ngjarjet më të mëdha multisportive në botë, që bashkojnë vende nga Evropa, Afrika dhe Azia përgjatë pellgut të Mesdheut, duke u organizuar çdo katër vjet nën ombrellën e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Për Kosovën, edicioni i vitit 2030 nuk është vetëm një ngjarje sportive, por një projekt strategjik shtetëror që synon zhvillimin afatgjatë të infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve organizative dhe forcimin e imazhit ndërkombëtar të vendit, duke lënë trashëgimi të qëndrueshme për sportistët dhe komunitetin sportiv edhe shumë vite pas përfundimit të garave./kp