Kërcënoi kushëririn për t’i marrë 300 mijë euro, arrestohet 56-vjeçari në Vorë

Një 56-vjeçar është arrestuar në Vorë, pasi dyshohet se ka kërcënuar kushëririn e tij dhe familjarët e tij për t’i marrë shumën prej 300 mijë eurosh. Ngjarja u denoncua nga shtetasi E. M., i cili njoftoi policinë shqiptare se në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, kishte gjetur një fishek dhe një letër…

Lajme

13/09/2026 13:15

Një 56-vjeçar është arrestuar në Vorë, pasi dyshohet se ka kërcënuar kushëririn e tij dhe familjarët e tij për t’i marrë shumën prej 300 mijë eurosh.

Ngjarja u denoncua nga shtetasi E. M., i cili njoftoi policinë shqiptare se në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve.

Pas kallëzimit, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan operacionin policor të koduar “Mesazhi”.

Si rezultat i hetimeve u identifikua dhe u arrestua Ardian Muka 56 vjeç, banues në Vorë, i dyshuar si autori i kërcënimeve, shkruan Euronewsal, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi municion luftarak, veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe një aparat celular, në cilësinë e provës materiale.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive të autorit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit”.