Keqpërdorimi i fondeve publike, gjykata themelore në Prishtinë cakton masën e arrestit shtëpiak ndaj dy të dyshuarave

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B. në kohëzgjatje prej një muaj, për secilën, nën dyshimin se kanë keqpërdorur mbi 100 mijë euro të fondeve në një institucion parashkollor në Prishtinë. Përmes një njoftimi për media thuhet…

Lajme

15/05/2025 16:50

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B. në kohëzgjatje prej një muaj, për secilën, nën dyshimin se kanë keqpërdorur mbi 100 mijë euro të fondeve në një institucion parashkollor në Prishtinë.

Përmes një njoftimi për media thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat kanë kryer veprën penale Përvetësimi në detyrë.

“Të pandehurat K.A. dhe Q.M.B. obligohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në të cilën jetojnë dhe në asnjë mënyrë pa leje të gjykatës nuk guxojnë të largohen nga shtëpia e tyre, po ashtu detyrohet Policia e Kosovës që të verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, ta informojnë gjyqtaren e procedures paraprake, në këtë çështje penale. Konform nenit 181 paragrafi 5 të KPPRK-së, gjykata mund ta caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse të pandehurat nuk e respektojnë masën e shqiptuar si në këtë aktvendim”, thuhet në joftim.

Teksa në vazhdim nga gjykata thuhet se ekziston dyshimi se nëse të pandehurat gjenden në liri, do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale duke asgjësuar, fshehur ose ndikuar në dëshmitarë dhe në prova të tjera materiale, në këtë mënyrë do të pengonin rrjedhën normale të procedurës penale.

“Gjykata po ashtu vlerësoj se masa e arrestit shtëpiak është caktuar edhe për shkak të peshës së veprës penale, mënyrës dhe rrethanave në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, duke pasur parasysh se në rastin konkret kemi të bëjmë me përvetësim të parave, të cilat iu janë besuar nga Komuna e Prishtinës, për tu subvencionuar fëmijët të cilët i plotësojnë kriteret ligjore për subvencionim dhe duke marrë parasysh shumën e dëmit që supozohet se i është shkaktuar buxhetit, mbi 51 mijë euro, dhe me këtë të pandehurat dyshohen se kanë marrë veprime inkriminuese, duke përgatitur së bashku listat e përfituesve dhe duke i dërguar në Komunë të Prishtinës, andaj gjykata konsideron se ekziston baza ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurave”, theksohet në njoftim.

Ndërkaq kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Lajmi.net/