Keni rrjedhje të gjirit gjatë shtatzënisë, çfarë paralajmëron kjo gjë dhe a duhet të shqetësoheni?

Nëse ju krijon bezdi në veshje, mund të mbani napa të holla poshtë reçipetave.

Lifestyle

11/03/2021 11:39

Nëse gjinjtë tuaj rrjedhin lëng të bardhë, të verdhë ose pa ngjyrë, kjo tregon se trupi juaj po përgatitet të ushqejë fëmijën me gji, shkruan “Për Nënat”.

Zakonisht gjinjtë tuaj fillojnë të rrjedhin në fund të tremujorit të tretë, por mund të ndodhë në çdo kohë pas pesë apo gjashtë muajsh shtatzani, transmeton lajmi.net.

Lëngu që vëreni quhet kulloshtër, i cili është pararendës i qumështit të vërtetë që do të filloni të prodhoni disa ditë pas lindjes.

Kulloshtra është e pasur me proteina dhe përmban antitrupa që mbrojnë fëmijën tuaj nga infeksioni gjatë ditëve të tij të para në jetën reale.

Ju nuk do të jeni në gjendje të ndaloni rrjedhjet, por mund të vëreni se ato do bëhen më intensive, kur gjinjtë tuaj stimulohen si për shembull gjatë marrëdhënieve seksuale.

Nëse ju krijon bezdi në veshje, mund të mbani napa të holla poshtë reçipetave. Por, nëse lëngu që del nga gjinjtë tuaj, fillon të duket i përgjakur, është mirë të shkoni te mjeku.

Shumë herë, kjo nuk është asgjë për t’u shqetësuar; pasi shkaktohet nga ndryshimet e mëdha nëpër të cilat kalojnë kanalet e qumështit gjatë përgatitjes për laktacion.

Në shumicën e rasteve ato pastrohen pas lindjes dhe nuk ndikojnë në aftësinë tuaj për të ushqyer me gji.

Nëse nuk largohet brenda disa muajsh pas lindjes së fëmijës tuaj, mjeku mund të bëjë disa teste për të gjetur shkakun. /Lajmi.net/