Këngëtarja e famshme në Serbi: Jam shqiptare, nuk e mohoj

Ylli i njohur në Serbi ka folur për origjinën shqiptare.

ShowBiz

05/05/2021 10:16

Edita Aradinović është këngëtare shumë e famshme në Serbi, e cila numëron disa hite në repertorin e saj, shkruan lajmi.net.

Artistja ishte e ftuar së fundi në një intervistë për “Abc e Pasditës”, ku ndër të tjera pranoi me kenari rrënjët shqiptare.

Edita tha se nuk ka vizituar asnjëherë Shqipërinë, por pëlqen ta bëjë këtë gjë pasi të kalojë pandemia COVID-19.

Këngëtarja thotë se babai i saj ishte nga Kosova, ndërsa nëna gjysmë egjiptiane dhe pranon se ka miq shqiptarë.

“Po unë kam lindur në Serbi, u rrita atje dhe ka shumë shqiptarë që jetojnë në Serbi. Babai im ishte nga Kosova, Prishtina, ndërsa mamaja ime është gjysmë egjiptiane. Unë kam kënduar në Serbi në gjuhën serbe por kam miq të mirë nga Shqipëria artistë dhe aktorë”, u shpreh ajo.

Edita tha se njeh disa artistë shqiptarë dhe ua di edhe këngët, përfshirë Flori Mumajesin, Dafina Zeqirin dhe Loredanën.

Ajo tha se po punon për projekte të reja muzikore, por theksoi se gjendja është e keqe për shkak të COVID-19.

Këngëtarja ndër të tjera nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen ta përfaqësojë Serbinë në Eurovision. /Lajmi.net/

YouTube player