“Kemi nëntë audio-incizime” – Prokuroria tregon se e ka përgjuar Thaçin në qendrat e paraburgimit në Hagë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot janë fokusuar në prova të reja që sipas Prokurorisë së Specializuar (ZPS) tregojnë përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve. Prokurori Joshua Hafetz bëri të ditur se ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë ka dëshmi të shumta, përfshirë nëntë audio-incizime nga qendra e…

Lajme

27/02/2026 12:51

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot janë fokusuar në prova të reja që sipas Prokurorisë së Specializuar (ZPS) tregojnë përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.

Prokurori Joshua Hafetz bëri të ditur se ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë ka dëshmi të shumta, përfshirë nëntë audio-incizime nga qendra e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, shkelje të urdhrave të gjykatës dhe ekspertizë që tregon se dokumentet e gjetura në Kosovë ishin printuar nga printeri që përdorte Thaçi në Hagë, transmeton lajmi.net.

Gjatë seancës u shfaq një nga audio-incizimet e Thaçit dhe Fadil Fazliu, të bërë në takimin e tyre më 2 korrik 2023. Sipas prokurorisë, ata diskutonin për dëshminë e komandant Remit.

Në incizim dëgjohet Thaçi duke thënë: “Thuaj shkurt, po, jo, mos filozofo”. Më pas shton: “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”, duke iu referuar kohëzgjatjes së dëshmisë.

Prokuroria gjithashtu ka shfaqur mesazhe të shkëmbyera mes Mustafës dhe Fazliut, të cilët kanë diskutuar pas kthimit të Fazliut në Kosovë, ku edhe janë takuar për koordinim të mëtejshëm.

Seanca vazhdon, ndërsa ZPS synon të paraqesë të gjitha provat që sipas saj tregojnë ndërhyrje në dëshmitë e dëshmitarëve./lajmi.net/