KEK-u lavdërohet thotë se performancën e vitit 2024 e pati “dukshëm më të mirë” se te vitin paraprak

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është mburrur me rezultatet e saj për vitin 2024, duke pretenduar se pati një performancë më të mirë se në vitin 2023, duke “përballuar me sukses sfidat që lidhen me teknologjinë e vjetër.” Në një njoftim të lëshuar nga KEK-u, thuhet se gjatë vitit 2024 “rritja e prodhimit të energjisë…

Lajme

22/03/2025 22:32

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është mburrur me rezultatet e saj për vitin 2024, duke pretenduar se pati një performancë më të mirë se në vitin 2023, duke “përballuar me sukses sfidat që lidhen me teknologjinë e vjetër.”

Në një njoftim të lëshuar nga KEK-u, thuhet se gjatë vitit 2024 “rritja e prodhimit të energjisë elektrike dhe eksploatimi më i lartë i qymyrit kanë kontribuar ndjeshëm në performancën e përmirësuar.”

Postimi i plotë:

KEK ka përmbyllur vitin 2024 me një performancë dukshëm më të mirë se vitin paraprak

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur rezultate të shkëlqyera gjatë vitit 2024, duke përballuar me sukses sfidat që lidhen me teknologjinë e vjetër. Rritja e prodhimit të energjisë elektrike dhe eksploatimi më i lartë i qymyrit kanë kontribuar ndjeshëm në performancën e përmirësuar.

Në periudhën janar-dhjetor 2023, bruto prodhimi i energjisë elektrike ishte rreth 5,534,196 milion MWh, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky prodhim ka arritur në 6,178,372 milion MWh, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej rreth 11.65% krahasuar me vitin paraprak.

Po ashtu, edhe prodhimi i qymyrit ka pasur një rritje të ngjashme. Në periudhën janar-dhjetor 2023, KEK ka eksploatuar 6,923,659 milion ton qymyr, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë eksploatuar 8,068,711 milion ton, duke treguar po ashtu një rritje të prodhimit prej 16.55%.

Një tjetër arritje e rëndësishme është edhe shitja e tepricave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht janë në dispozicion gjatë orëve të natës, kur konsumi vendor është më i ulët. Shitja e tepricave gjatë periudhës janar-dhjetor 2023 ishte rreth 350,449 MWh, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2024 janë shitur 645,824 MWh, duke shënuar një rritje prej 45.75%, ose rreth 295,375 MWh më shumë se vitin paraprak.

Kjo performancë e shkëlqyer tregon qartë angazhimin e KEK-ut për të qenë një faktor kyç në furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për partnerët e saj afarist dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik në vend.

KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS