​KEK del me njoftim për punonjësit e vet

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) përmes një njoftimi për media ka siguruar punëtorët e saj se mirëqenia dhe kushtet e punës mbeten prioritet i lartë i Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, në përputhje me përgjegjësitë profesionale dhe ligjore për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjes, sigurinë e operimeve dhe përmirësimin e performancës mjedisore. KEK-u mbetet i…

Lajme

24/12/2025 20:02

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) përmes një njoftimi për media ka siguruar punëtorët e saj se mirëqenia dhe kushtet e punës mbeten prioritet i lartë i Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, në përputhje me përgjegjësitë profesionale dhe ligjore për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjes, sigurinë e operimeve dhe përmirësimin e performancës mjedisore.

KEK-u mbetet i përkushtuar ndaj dialogut social me sindikatat për trajtimin e drejtë të çështjeve që lidhen me mirëqenien e punonjësve, gjithmonë në përputhje me performancën dhe mundësitë reale të ndërmarrjes, thuhet në komunikatë.

Bordi dhe Menaxhmenti vazhdimisht kanë treguar gatishmëri për të dëgjuar dhe adresuar kërkesat e punonjësve dhe sindikatave, duke ruajtur stabilitetin financiar. Për vite me radhë, KEK ka ofruar përfitime të rëndësishme për punonjësit, përfshirë sigurim shëndetësor, transport, shujta të dinjitetshme, pagesa jubilare, pagesën e përvojës së punës, rritje lineare të pagave dhe bonuse vjetore.

Njoftimi vjen pasi punëtorët e KEK-ut organizuan sot një protestë paqësore në Prishtinë, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.

Protestuesit kërkuan që pagat të rriten në një mijë euro, duke theksuar se trajtimi aktual është i padrejtë, teksa paralajmëruan, se nëse kërkesat nuk plotësohen sindikata do të kalojë në grevë, pas një periudhe të konsultimeve ligjore.