KB Bashkimi reagon pas ndalimit të “Arpagjikëve” në Mal të Zi: “Po mbahen padrejtësisht, kërkojmë reagim nga ambasada”

Klubi i Basketbollit Bashkimi ka reaguar pas ndalimit të tifo-grupit të tyre, “Arpagjikët”, nga autoritetet malazeze, duke e cilësuar këtë veprim si të padrejtë dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut. Në reagimin e klubit thuhet se tifozët janë ndaluar “vetëm për një grafit me mbishkrimin UÇK”, duke theksuar se ata “nuk kanë…

Sport

23/10/2025 22:50

Klubi i Basketbollit Bashkimi ka reaguar pas ndalimit të tifo-grupit të tyre, “Arpagjikët”, nga autoritetet malazeze, duke e cilësuar këtë veprim si të padrejtë dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.

Në reagimin e klubit thuhet se tifozët janë ndaluar “vetëm për një grafit me mbishkrimin UÇK”, duke theksuar se ata “nuk kanë kryer asnjë krim” dhe po “mbahen padrejtësisht”, transmeton lajmi.net.

“Është e papranueshme që Arpagjikët të ndalohen në Mal të Zi vetëm për një grafit të shkruar UÇK. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, e megjithatë po mbahen padrejtësisht. Ky veprim është një shkelje e qartë e lirisë së shprehjes dhe e të drejtave njerëzore”, thuhet në reagimin e Bashkimit.

Klubi ka bërë thirrje për reagim urgjent nga institucionet e Kosovës, veçanërisht Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi, që të ndërhyjë për lirimin e tifozëve.

“I bëjmë thirrje organeve përgjegjëse dhe veçanërisht ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi për reagim dhe mbrojtje të tifo-grupit ‘Arpagjikët’, që të kujdeset që djemtë tanë të lirohen dhe të mos mbahen padrejtësisht”, përfundon reagimi.

“Arpagjikët” janë tifo-grupi i njohur i KB Bashkimit nga Prizreni, të njohur për përkrahjen e zjarrtë në ndeshje brenda dhe jashtë Kosovës./lajmi.net/