Kauboji Quentin

Filmi i ardhshëm i Quentin Tarantino's do të jetë vestern, por jo një projekt i ngjashëm me Django Unchained. \"Vesternët i dua shumë. Pasi u mësova si bëhen filmat e tillë, thash ‘OK’, le ta bëj edhe një tjetër\".

ShowBiz

27/11/2013 21:00

Quentin Tarantino ka njoftuar se filmi i tij i ardhshëm do të jetë vestern, por jo një projekt i ngjashëm me Django Unchained, që e realizoi në 2012, me Leonardo DiCaprio, Jamie Foxx dhe Christoph Waltz, për të cilin fitoi Çmimin Oscar për skenar.

“Nuk mund të flas shumë për këtë, por një gjë do ta them. I takon zhanrit vestern”.

“S’është pjesa e dytë e Django’s, por një vestern tjetër”.

“Jam zbavitur shumë gjatë xhirimit të Django’s, i dua shumë vesternët. Pasi u mësova si bëhen filmat e tillë, thash ‘OK’, le ta bëj edhe një tjetër tash që e di çfarë bëj”.

Vazhdimësia e punës në të njëjtin zhanër do të ishte veprim i befasishëm nga Tarantino, pasi ai njihet për lëvizshmërinë ideore: prej filmave me gangsterë, që e bënë të famshëm në botën e arteve luftarake, e deri te filmat me tematikë të luftës, ata të produksionit B dhe vesterni Django.

Por, ai kurrë nuk do ta realizojë një film për vrasësit serikë.

“Do ta zbulonte gjithë morbiditetin tim”.

A.M.

Traileri i Django Unchained.