“Katolikët të mos shtohen si lepujt”!

Kreu i Kishës Katolike, Papë Françesku, gjatë kthimit nga Filipinet ku ishte për vizitë zyrtare,  u ka bërë thirrje besimtarëve për përgjegjësi më të madhe në planifikimin familjar - lindjen e fëmijëve, duke thënë se katolikët e mirë nuk duhet të shumëzohen si “lepujt”.

Bota

20/01/2015 10:57

Kisha Katolike, e cila i ka afro 1.2 miliardë besimtarë në gjithë botën, e mbron mësimin kishtar kundër kontracepcionit artificial, por sipas Papës, kjo nuk do të thotë se të krishterët duhet të kenë fëmijë njërin pas tjetrit.

“Disa mendojnë se për të qenë katolikë të mirë ne duhet të shtohemi si lepujt, por jo…”, u tha argjentinasi 78 vjeçar gazetarëve, dhe u tregoi atyre se gjatë vizitës në Filipine e kishte “qortuar paksa” një grua filipinase, e cila kishte rrezikuar jetën e saj duke lindur shtatë fëmijë.   

Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku ka dënuar metodat artificiale të lindjes së fëmijëve që bien ndesh me vlerat tradicionale të familjes, duke e denoncuar atë që ai e cilësoi si “kolonizim ideologjik” të familjeve dhe të botës së zhvilluar.

Ai po ashtu ka thënë se idetë progresive perëndimore për kontrollin e lindjes dhe të drejtat e homoseksualëve, gjithnjë e më tepër po imponohen nga grupet, institucionet ose vendet individuale, shpeshherë si kusht për ndihma zhvillimore.