Kanë mospajtime, por jo përplasje!

Hillary Clinton i ka hedhur poshtë spekulimet në media se ka pasur përplasje ndërmjet saj dhe presidentit Barack Obama, gjatë periudhës derisa ajo ishte në pozitën e ish-Sekretares së Shtetit.

Bota

14/08/2014 13:17

“Lexojeni librin – ne pajtohemi, ne jemi të përkushtuar për vlera, interesa dhe sigurinë, për vendin tonë së bashku. Ne kemi mospajtime si çdo partner dhe mik, sikur që jemi ne, që mund të kenë. Por, jam krenare që kam shërbyer me të dhe për të”, u tha Clinton gazetarëve në një tubim afër Masachusets.

Këto komente janë bërë pasi Hillary dhe bashkëshorti i saj, ish presidenti Bill Clinton, kanë marrë pjesë në një pritje ku ishin të pranishëm rreth 150 veta, ndër ta edhe presidenti Obama dhe Zonja e Parë, Michelle Obama.

Clinton është treguar e heshtur lidhur me synimet e saj për zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, por mediat amerikane vlerësojnë se të gjitha aktivitetet e saj, një varg i ligjëratave, turneu për promovimin e librit më të ri, paraqitjet në media, janë tregues të përgatitjes për fushatën presidenciale.

Mediat kanë përshkruar raportet ndërmjet Clinton dhe Obamës si të acaruara, pasi ish-Sekretarja e Shtetit, në një intervistë për revistën “The Atlantic”, ditë më parë kishte fajësuar presidentin Obama për dështimet e politikës së Shteteve të Bashkuara që cuan në rritje numrin e militantëve islamikë në Irak dhe Siri.