Kamberi: Vuçiq në këto zgjedhje do të humb pushtetin, Parlamenti në Serbi është një ambient toksik

Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiq, po mbijeton në pushtet “me frymëmarrje artificiale”, thotë deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Paralajmëron se 2026-ta do të jetë vit i zgjedhjeve në Serbi, dhe se të njëjtat mund të shënojnë fundin e pushtetit të Vuçiqit. Ai kërkon mbështetje më…

Lajme

05/01/2026 13:45

Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiq, po mbijeton në pushtet “me frymëmarrje artificiale”, thotë deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Paralajmëron se 2026-ta do të jetë vit i zgjedhjeve në Serbi, dhe se të njëjtat mund të shënojnë fundin e pushtetit të Vuçiqit. Ai kërkon mbështetje më konkrete nga Prishtina dhe Tirana zyrtare, si dhe shpalljen e Luginës së Preshevës si çështje me rëndësi kombëtare për Kosovën.

Kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi  flet edhe për diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe rrezikun që brenda pak vitesh, të tri komunat të mbesin pa përfaqësim shqiptar në polici dhe institucione të tjera.

Ai thotë se diskriminimi shtetëror i Serbisë ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë po vazhdon dhe se “vëmendja e qeverisë qendrore është e orientuar kryesisht në mbijetesën në pushtet”.

“Shumëkush ka pritur që me një vit protestash, pushteti i Aleksandër Vuçiqit do të bie. Por, thjesht ai po mbahet, po mbijeton. Po mbijeton me një frymëmarrje artificiale, me atë që ka fut Serbinë me një krizë ndër më të thellat politike prej vitit 2003 kur është vrarë kryeministri i atëhershëm. Është bërë një delegjitimim total i pushtetit të Vuçiqit, se këto që po ndodhin ditëve të fundit po dëshmojnë që politika e jashtme e Vuçiqit, e balancimit, e ekuilibrimit, e bazuar në katër shtylla, në Kinë, në Moskë, në Uashigton e Bruksel, po pëson degradim total sepse tashmë mund të thuhet shumë konkret pas aprovimit të Raportit të Progresit për Serbinë për vitin 2025, Bashkimi Evropian ka dhënë vërejtjet më seriozet deri më tani, në raport me ngecjen e Serbisë. Se ligji që aprovuan së fundmi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që ka nënshkruar presidenti Trump flet qartë për ngecjet në demokraci në Serbi. Dhe Serbia etiketohet si i vetmi vend në Ballkan me emër që ka ngecje të demokracisë”, deklaron Kamberi për KosovaPress.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi konsideron se viti 2026 do të jetë vit zgjedhor në Serbi dhe se Vuçiqi do ta humbë pushtetin.

“Ndërkohë që duke qenë i përballur me krizën e brendshme, Vuçiq aktualisht po përballet edhe me krizën e jashtme. Dhe me shumë gjasë viti 2026 do të jetë vit i zgjedhjeve në Serbi. Zgjedhje që siç paralajmëron ai do të jenë udhëkryq, por me shumë gjasë Vuçiq në këto zgjedhje do humb pushtetin. Për të bile, sipas vlerësimit tim do të jetë edhe më e vështirë nëse arrin t’i fitojë zgjedhjet me manipulimet e zakonshme që i ka bërë deri më tani dhe kjo do të na sjellë në një situatë ku askush, as opozita, as Lëvizja Studentore, as segmentet tjera të shoqërisë nuk do të ja njohin ato zgjedhje. Ky është një hap që Serbinë do ta fut edhe në një krizë edhe me të thellë. Nuk mund të themi se do të ketë një stabilitet as në vitin 2026 dhe kjo natyrisht flet qartë se Serbia nuk do të ketë edhe kohë edhe mundësi të merret me procesin e integrimeve”, shton ai.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi thotë se nevojitet organizim i partive politike në Luginë që shqiptarët të kenë përfaqësim më të mirë në Parlamentin e Serbisë.

Ai pret që në këto zgjedhje të ketë dalje të madhe të qytetarëve në votime, për shkak të tri poleve që garojnë në Serbi.

“Koordinimi i politikave dhe përkrahja apo mbështetja që duhet dhënë për një vijë të caktuar politike në Luginë të Preshevës apo për një orientim të caktuar në Luginë të Preshevës do të duhet të jetë shumë më konkrete edhe nga Prishtina edhe nga Tirana, në mënyrë që të arrijmë të mobilizohemi sepse fragmentizimi i skenës politike është i skajshëm këtu, ai fragmentizim sjell dobësimin e pozitës tonë politike por njëkohësisht dobësimin edhe të pozitës tonë në vota. Nëse dalim me dy lista, e dimë në zgjedhjet e kaluara kemi arritur të kemi me një deputet, një listë ka dështuar total. Prandaj mund të na pret një situatë e ngjashme apo mund ta përsërisim suksesin e vitit 2020 që të kemi së paku tre deputetë”, thotë Kamberi.

Ai paralajmëron se për shkak të mosrekrutimit të shqiptarëve në polici që nga viti 2016, Lugina e Preshevës rrezikon të mbetet pa policë shqiptarë në dekadën e ardhshme.

“Ne kemi një situatë ku Kosova si shteti më i ri, si demokracia më e re në Ballkanin Perëndimor për pakicat atje ofron standarde që nuk i ka asnjë shtet, jo vetëm i Ballkanit, por mund të them lirisht edhe shumë shtete në Evropë nuk i kanë këto standarde. Ndërkohë, që duke kërkuar për serbët diçka që nuk është e gatshme t’i jap pakicave brenda territorit të vet, Serbia luan sa i përket sferës së të drejtave të pakicave, me standarde të dyfishta dhe kjo duhet të ndërprehet. Ne nuk mund të pajtohemi me Beogradin, vetëm të financojë ndonjë projekt infrastrukturor, ndërkohë që të heshtim sa i përket përfaqësimit tonë në gjykatë, në polici, sepse ne e dimë çfarë solli situata kur në Polici kishte pak ose aspak shqiptarë. Me trendin aktual, duke marrë parasysh që Ministria e Punëve të Brendshme nuk rekruton shqiptarë në policinë lokale prej vitit 2016, ne për dhjetë vitet e ardhshme do të mbesim pa policë shqiptar këtu. Dhe kjo na kthen me automatizëm në situatën 1999-2000, ku nuk kishte policë shqiptarë”, deklaron ai.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi kërkon nga Qeveria e ardhshme e Kosovës të shpall Luginën e Preshevës si çështje me rëndësi kombëtare.

“Serbia është e interesuar që të prolongojë marrëveshjen finale me Kosovën. Dhe këtu sipas meje ka vetëm një zgjidhje. Zgjidhja është që Kosova të pranohet dhe të anëtarësohet në NATO. Kjo do ta përmbyll përdundimisht cështjen e kufijve, çështjen e statusit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe do të ndikojë që Kosova të ketë fuqinë më të madhe të luftojë për pakicat e veta në rajon. Kështu që ajo që pritet, ndërtimi i një qeverie efikase në Prishtinë, kush do ta bëjë varet nga populli i Kosovës, sepse ata janë që janë të zotit e vullnetit dhe natyrisht për neve është me rëndësi që Kosova ta ketë një qeveri stabile, një qeveri e cila Luginën e Preshevës nuk e ka diku prioritet diku të shtatë, tetë apo dhjetë. Por ta ketë ndër prioritet e para. Ajo që për ne është me rëndësi, është që qeveria, parlamenti i ardhshëm të Kosovës, ta shpall Luginën e Preshevës si çështje me rëndësi kombëtare dhe konform asaj të ndërtojë edhe politikat edhe ndaj nesh. Por, kjo do të ishte e mangët nëse nuk përfshihet edhe qeveria në Tiranë”, thotë ai në intervistën për KosovaPress.

Gjatë vitit të kaluar, Kamberi thotë se ka bërë disa propozime për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Këtu, ai përmend kërkesën që Presheva e Bujanoci të kenë një prokurori, sepse aktualisht është në Vranjë, por gjithashtu edhe Gjykatën e Apelit. Të gjitha këto, ai thotë se nuk po përfillen nga institucionet në Serbi.

“Parlamenti për vite me radhë, sidomos në këto pesë vitet e fundit është një ambient toksik. Një ambient në të cilin shumicën absolute e kanë, e ka Vuçiçi me partitë e tij satelite, duke mos përjashtuar SPS-in dhe disa parti të vogla të tjera, ka arritur t’i bindë edhe disa pakica siç janë hungarezët dhe një pjesë e boshnjakëve që ta mbajnë në anën e tij. Dhe në kuadër të asaj mundësie, bashkë me deputetët e SDA-së ose, ose vetë si deputet, kam nisur disa iniciativa që janë të rëndësishme, por që mjerisht nuk po hasin në mirëkuptim në Beogradin zyrtar. Në radhë të parë, jo vetëm për t’i krijuar shqiptarëve hapësirë më të mirë të veprimit, të drejtave, por edhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Por duket se Serbia nuk është akoma e gatshme të marrë hapat gjigand drejt anëtarësimit në BE, sepse ajo vetë po i prolongon”, thotë ai.

Megjithatë, ai thekson se në shumë takime Bruksel, Strasburg, Berlin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, koncepti politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka mbështetje absolute.

Kamberi thekson se gjendje më e rënduar e diskriminimit është në Medvegjë, ku përmes pasivizimit të adresave, Serbia po tenton të bëjë spastrim etnik.

“Po në Medvegjë të jesh shqiptar është vërtetë vështirë. Nuk është lehtë as në Bujanoc, as në Preshevë, sepse je, i përjashtuar nga vendimmarrja në organet e institucioneve të shtetit. Por në Medvegjë, ku përmes pasivizimit, mosnjohjes së diplomave dhe shumë proceseve të tjera, gati se e kanë kryer spastrimin etnik, të jesh shqiptar është shumë vështirë. Natyrisht, çështja e parë që, në një proces të ardhshëm ku do të diskutohet tema e shqiptarëve, është Medvegja me procesin e pasivizimit dhe rikthimit të adresave të gjithë njerëzve që pa arsye u janë marrë. Është dokumentuar disa herë, jo vetëm nga politika jonë, por edhe nga raportet e shoqërisë civile të Serbisë, nga bashkësia ndërkombëtare, nga rezolutat që Parlamenti Evropian i ka aprovuar, se procesi i pasivizimit të Serbisë ka qenë selektiv, me target të veçantë ndaj popullatës shqiptare. Medvegja, si një komunë me më pak shqiptarë, ishte target i veçantë dhe atje siç e thashë është arritur që përmes këtij procesi të legjitimohet një spastrim etnik që e ka krijuar Millosheviqi”, përfundon ai.

Ai thotë se problemi ekonomik në tri komunat e Luginës së Preshevës shkaktohet nga politika, meqë nuk ka ndarje të barabartë të kapaciteteve që ofrojnë organet shtetërore.

Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë gjatë vitit 2024 janë organizuar tri protesta gjithëpopullore me thirrjet “Kthema adresën” dhe kundër veprimeve diskriminuese të autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, janë mbi 60 mijë shqiptarë të cilët jetojnë në Serbi.