“Kam gabuar që shkrova”, VV i zhduk shkrimet dhe komunikatat nga viti 2005 deri në vitin 2014

Një rikujtim në media i një komunikate të vjetër të Lëvizjes Vetëvendosje ku kritikohej ashpër ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka mjaftuar që LVV t'i fshiej nga uebfaqja zyrtare e partisë të gjitha komunikatat dhe shkrimet për 11 vite. Në uebfaqen e kësaj partie, të gjitha shkrimet nga viti 2005 deri në vitin 2014 janë fshirë.

Lajme

04/02/2021 17:21

Gjatë ditës së djeshme, lajmi.net ka sjellur në kujtesë një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje ku thuhej se misioni i NATO-s dhe bombardimi 78 ditorë i Serbisë nuk e ka çliruar Kosovën, por për më tepër, e ka forcuar sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, shkruan lajmi.net.

Kjo komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje ishte fshirë nga uebfaqja e partisë, por lajmi.net e kishte përmbajtjen e kësaj komunikate e cila u publikua dje.

“NATO nuk e ka çliruar Kosovën”, çfarë thoshte komunikata e VV-së të cilën e zhdukën nga faqja e partisë?

Publikimi i komunikatës për ish-presidentin Rugova dhe komunikata ku mohohet roli i NATO-s në çlirimin e Kosovës kanë bërë Lëvizjen Vetëvendosje që t’i fshiej të gjitha komunikatat për 11 vite histori të partisë.

Vetëvendosje gjithashtu ka larguar nga faqja e partisë edhe komunikatën që mbante titullin “Biden e di mirë”, referuar vizitës së presidentit të SHBA-ve, aso kohe zëvendëspresident në Kosovë.

“Nënkryetari i SHBA-ve, Joseph Biden, nuk erdhi në Kosovë për t’ia mbajtur një fjalim Kuvendit të Kosovës. Nuk besoj ai ta ketë ndjerë nevojën e tifozerisë së deputetëve kosovarë që duartrokasin deri në delir si ndonjëfarë sekti primitiv. Nuk besoj as ta ketë marrë malli për Manastirin e Deçanit apo të ketë ardhur për t’i ngushëlluar ushtarët amerikanë për jetën e rëndë që bëjnë në kampin Bondsteel”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim.

Vetëvendosje gjithashtu ka larguar nga uebfaqja edhe komunikatën ku përmendet KFOR-i, mision ky i cili ishte kritikuar shumë nga ky subjekt politik në fillet e saj kur ende ishte vetëm lëvizje.

E në uebfaqen e kësaj partie nuk mund t’i gjeni as vargun e komunikatave “Brenda mendjes kolinialiste” ku flitej për misionin e KFOR-it në Kosovë, atë që VV e quante “seksualizim të sferës publike”

VV në këtë varg të komunikatave fliste edhe për Nowickin dhe frikën e kastrimit duke kritikuar ashpër skenën politike vendore por pa i kursyer edhe misionet ndërkombëtare që operonin në Kosovën e pasluftës.

 

 

 

Komunikatat si “Njësimi i partive politike”, “Gjaku i humbur”, e “Për çfarë ka intervenuar NATO në Kosovë”, komunikatë kjo përmbajtjen e të cilës mund ta lexoni në lajmi.net tash nuk mund t’i gjeni më në faqën e Vetëvendosjes.

Pos këtyre komunikatave, VV e cila rolin e saj në skenën politike në Kosovë dhe rolin e saj për Kosovën e paraqet si historik, ka fshirë historinë e saj disa vjeçare të funksionimit.

Nëse kjo është një pendesë për të kaluarën ose një ndryshim qëndrimesh mund ta thonë vetëm nga VV, por mjaftoi një fushatë mediale ku zbuloheshin shkrimet e vjetra të kësaj partie që kjo e fundit t’i zhdukë 11 vite komunikata e shkrime nga faqja e vet. /Lajmi.net/