Jug e veri bashkohen, hiqet barrikada që ndau qytetin e Mitrovicës

Gjatë natës u largua barrikada mbi lumin Ibër, e cila që nga viti 2011 ishte simbol i ndarjes fizike së veriut të Kosovës.

Lajme

18/06/2014 06:37

(E plotësuar)

Heqja e barrikadës u bë nga dy ekskavator të cilët kishin ardhur nga veriu. Duket se kjo ishte inciativë e serbëve të veriut.

Sipas ekipit të KosovaPress-it, i cili ishte në vendin e ngjarjes, gjithçka shkoi në rregull dhe puna po tentohet të kryhet shpejt dhe pa zhurmë.

Në vendin e ngjarjes kanë dal Policia e Kosovës, pjesëtar të karabinierëve italian dhe një përfaqësues i Komunës së Mitrovicës.

Njëri nga organizatorët serb i ka thënë KTV-së, \”E kemi bërë me vullnet tonë dhe mjetet tona, ashtu siç e kemi vendosur\”.

Të martën gjatë ditës ishin larguar kontenjerët e vendosur si pjesë e barrikadës kurse në mbrëmje u largua edhe zhavori e betoni.


Heqja e barrikadës, dakordim midis Thaçit dhe ambasadorëve perëndimorë

(17 qershor, 20:01)

Gjatë pasdites së sotme janë parë lëvizje të shumta të njerëzve me uniforma pranë urës famëkeqe mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Kontenierët që shërbenin për rojat e urës janë vendosur në kamionë dhe janë larguar nga KFOR-i.

Gjithashtu, është parë edhe një përqendrim i madh i trupave të KFOR-it, EULEX-it dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në zonën afër urës dhe sipas burimeve të Kosovapress’it, në orët në vijim do të hiqet edhe barrikada.

Të gjitha këto veprime, sipas burimeve brenda policisë, po bëhen në bashkëpunim edhe me pjesëtarët e të ashtuquajturës Mbrojtje Civile Serbe, të cilët ishin të pranishëm kur po hiqeshin kontenierët.

Sipas tyre, ky ishte momenti më i përshtatshëm për të hequr barrikadën, përderisa zgjedhjet parlamentare kanë mbaruar e partitë serbe nuk kanë më kosto elektorale dhe tashmë janë të gatshme t’i jetësojnë pikat e marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar.

Sikurse që është raportuar paradite, kryeministri Thaçi sot ka pasur takime të ndara me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff dhe atë të Gjermanisë, Peter Blomeyer dhe sipas burimeve të Kosovapress’it, mësohet se çështja e heqjes së barrikadës ka qenë tema qendrore e bisedimit në këto takime dhe vendimi është marrë në koordinim me të gjitha palët e përfshira në këtë problem shumëvjeçar.

(KosovaPress, Koha.net)