Jokoherenca koherente e Albin Kurtit

19:14 | 18 Gusht 2019

Foto nga: Ridvan Emini

Shkruan: Ridvan Emini

Karizma

Karizma e Albin Kurtit në raport me ndjekësit e tij përkon saktësisht me përkufizimin e Veberit që ka për sundimin karizmatik, do të thotë ai e përkufizon atë si një cilësi e caktuar e personalitetit të individit, e tillë që e veçon nga njerëzit e rëndomtë dhe e bënë të vështrohet si i pajisur me fuqi apo cilësi të mbinatyrshme, mbi njerëzore. Kjo lloj karizme është e përdorshme në politikë kur kihet parasysh mundësia e nënshtrimit të vullnetshëm nga ndjekësit e tij. Këtë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e ka përdorur më së miri duke e shndërruar në një investim politik me mend, që shumë vërejtshëm mund ta hasim në elozhet e ndjekësve të tij që ia thurin për çdo ditë. Kjo ka pjesën e vetë të rrezikut psikologjik që njeriu mund të filloj të mendoj që është i prekur nga vet dora e Zotit. Humbja e realitetit apo shpërfytyrimi i tij është potencial demagogjik jo edhe i pa dëmshëm. Përveç rrezikut të ndërtimit të kultit të individit, është rreziku i krijimit të një mendësie militare tek përkrahësit e tij. Që në afat të shkurtë është i përdorshëm politikisht dhe krijon avantazhe. Besimi pa mendim, pa kritikë, vetëm ta pranosh karizmin e idhullit më vonë degjeneron perspektivën e ndjekësit të tij, duke e kontaminuar tërë hapësirën politike brenda llojit.

Pesimizmi

Pesimizmi si kategori religjioze, që proklamon fundin e botës apo për ta përfolur Shën Palin me fjalinë e tij të famshme që jemi duke jetuar ditët e fundit, shumë interesante se si është instaluar brenda tregimit marksist. Tonet apokaliptike janë e kundërta e ligjërimit plotë shpresë dhe progres të marksizmit. Por, paradoksi i dalur në pah këtu është vetëm trik politik për përdorime të leverdishme ditore. Në bazë të pikëpamjeve të tij politike, historike, sociologjike dhe mbi çfarë referenca e ndërton ligjërimin politik Albin Kurti, them se ai është figura ‘integruese’ në mesin e dy kundërthënieve siç është edhe religjioni në vetvete. Ka frikën dhe shpresën si formë tërheqëse për xhematin. Albin Kurti ka luajtur lojën politike mbi këtë teren për leverdi të interesave grupore. Ajo më së miri mund të vërehet te koherenca e tij në inkoherencën e vet.

Inkoherenca

Aty ku hetohet më së miri inkoherenca e diskursit të tij politik (përveç Rambujesë, Vjenës etj.) janë përpjekjet e tij të fundit për të bërë koalicion me LDK-në. Nëse kemi parasysh qëndrimet e tij konsistente pezhurative për profilin e një partie siç është LDK-ja, atëherë inkoherenca e qëndrimeve të tij shfaqet në formën më brutale te përpjekjet e tij sot. Madje, konsideroj se shembulli më lapidaresk i kësaj inkoherence është figura dhe profili politik i Rexhep Selimit. Nëse mund t’i thërrasim kujtimet në arsyet e dhënies së dorëheqjes së Rexhep Selimit atë botë nga AAK-ja, arsyeja e vetme ka qenë koalicioni i AAK-së me LDK-në e Rugovës. Ndoshta sot z.Selimi mendon që LDK-ja ka avancuar dhe është më e mirë nga Rugova tek Isa Mustafa. Pa dashur të personalizoj diçka duke iu përmbajtur etikës së problematizimit të fenomeneve e kamë të pamundur të mendoj se si tërë këto kontradikta do të qëndronin në paqe me njëra tjetrën pa ngacmuar impulse etike që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje së paku në ligjërim i ka për qejfi.

Përfundimi

Nëse kthehemi ‘mbrapsht’ në gjykimin e tri pikave të shtjelluara më lartë i bie që Albin Kurtin ta përfytyrojmë si një figurë inkoherente me doza pesimiste për politikën që as karizma e tij nuk mund ta rehabilitoj diskursin e tij paradoksal. Me këtë dua të them që z.Kurti si lider politik nuk ka mundur kurrë ta ndërtoj dallueshmërinë në mes të tij dhe liderëve të tjerë që përdorin po ashtu çdo mjet dhe formë për realizimin e qëllimeve ekskluzive të tyre dhe interesave të grupacioneve të veta. Derset morale e etike që e kanë tingëllimën po sikurse ato të Shefqet Krasniqit nuk dallojnë në tendencat e këtyre njerëzve që veprimtarinë e tyre ta shpërfaqin brenda kategorive misionariste. Nëse dikush është i thirrur që të na interpretoj Biblën apo Kuranin mos harroni që Albin Kurti është këtu që të na interpretoj POLITIKËN. Nëse thënia e Heraklitit se çdo gjë lëvizë (ndryshon) merret si e saktë, figura politike e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje britmas demanton këtë pikëpamje. Pra, Albin Kurti nuk ndryshon.