Jevtiq merr shumë ankesa nga komunitetet jo serbe

Komunitet jo serbe, edhe më tutje mbesin të diskriminuara në punësim, në kthim e pronave të tyre dhe në socializmin e tyre në shoqërinë kosovare, këto vërejtje i bënë deputetët e komuniteteve jo serbe, në takimin që patën në Komisionin për Kthim dhe Komunitete. I ftuar për të raportuar para deputetëve jo serb, sot ishte…

Lajme

08/06/2015 15:27

Komunitet jo serbe, edhe më tutje mbesin të diskriminuara në punësim, në kthim e pronave të tyre dhe në socializmin e tyre në shoqërinë kosovare, këto vërejtje i bënë deputetët e komuniteteve jo serbe, në takimin që patën në Komisionin për Kthim dhe Komunitete.

I ftuar për të raportuar para deputetëve jo serb, sot ishte ministri i Kthimit dhe Komuniteteve, Dalibor Jevtiq, i cili paraqiti raportin lidhur me gjendjen në ministrin që udhëheqë si dhe numëroi angazhimin që po bëhet në këtë ministri për kthim të qëndrueshëm dhe integrim të komuniteteve.

Deputeti nga radhët e Grupit 6+, Danush Ademi, ministrit i paraqiti një varg ankesash lidhur me diskriminimin e vazhdueshëm, që siç tha ai, po i bëhet komuniteti të tij sa herë që bëhet fjalë për punësim, apo edhe benefite të tjera.

Ademi madje në mesin e kërkesave të tij paraqiti edhe propozimin për ndarjen e një fondi të veçantë për komunitetin ashakali.

“Ministri para jush që ka qenë, në takimin e parë që kam pas me të i kam parashtruar kërkesat tona dhe ai me një fjalë ka thënë se për komunitetet jo serbe nuk do të ketë fonde asnjëherë, dhe me atë i ka mbyll dyert. Ky fond që është ndarë deri në 3 milionë euro do të jetë për komunitetin serb dhe të kthyerit nga Mali i Zi. Pyetja për ministrin është se a do të ketë mundësi të ndahet një fond i veçantë për komunitetin tonë ashakali në atë ministri, ku jemi një komunitet bukur i madh në Kosovë…dhe për çfarë arsye deri më tash nuk është punësuar asnjë nga komuniteti ashkali dhe a do të hapet një konkurs që edhe ne të gëzojmë të drejtën si komunitetet tjera”, tha Ademi.

Ndërsa shqetësimit të tij iu përgjigj ministri Jevtiq, i cili tha se Ministria që ai drejton dhe se vet pozita e tij prej ministri, nuk ka të bëjë me punësimin dhe me procedurat e punësimit, dhe se për kthimin e këtij komuniteti nga vendet e treta merret Ministria për Integrime Evropiane e jo MKK.

“Kur të kritikohet dikush duhet të keni fakte, që të keni edhe informata, që këto kritika para se gjithash t’i paraqisni si informatë, opinioni duhet të jetë i saktë. Ministria për Kthim nuk ka kompetencë për kthimin e minoriteteve nga vendet e tjera. Për këtë është kompetente Ministria për Integrime Evropiane… Derisa sa jam në krye të këtij institucioni nuk do të ketë ndarje selektive në cilindo kuptim. Çështja për punësim… sërish të kuptojmë ligjin dhe procedurat lidhur me këtë çështje, nuk merret ministri i ndonjë ministrie me procesin e punësimit”, tha Jevtiq

Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së Veton Osmani, që vjen nga komuniteti egjiptas, shprehu shqetësimin e tij lidhur me gjendjen dhe mënyrën se si jetojnë banorët e këtij komuniteti në Kosovë, duke kërkuar me theks të veçantë nga ministri Jevtiq, të sqaron se çfarë po ndodh me disa familje në Gjakovë të cilat ende jetojnë në kontenier.(KosovaPress)