Jana Arsovska: Dimal Basha është përgjegjës vetëm për një kapitull të artikullit, unë jam autorja e të gjitha pjesëve të tjera

Jana Arsovska, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay” dhe autore e artikullit të vitit 2012 “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Ndërkombëtar, Islami Fundamental dhe Aleancat e Pahijshme”, ka reaguar pas diskutimeve në Kosovë për përmbajtjen e artikullit pasi njëri nga autorët e tij është edhe kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.…

Lajme

27/08/2025 21:09

Jana Arsovska, profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay” dhe autore e artikullit të vitit 2012 “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Ndërkombëtar, Islami Fundamental dhe Aleancat e Pahijshme”, ka reaguar pas diskutimeve në Kosovë për përmbajtjen e artikullit pasi njëri nga autorët e tij është edhe kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Arsovska në një reagim dërguar mediave ka thënë se Basha është përgjegjës vetëm për kapitullin tre të këtij artikulli, dhe se për pjesën tjetër është ajo autorja.

“Meqenëse unë jam autorja e pjesës më të madhe të punës në këtë studim, do të doja t’ia bëja të qartë publikut se Dimal Basha është përgjegjës vetëm për kapitullin e tretë “Zgjerimi i islamit radikal” dhe asnjë nga kapitujt e tjerë nuk janë punë e tij. Shkurt, z. Basha paraqiti vetëm kapitullin e tretë për botim, një pjesë që shqyrton përhapjen e islamit fundamentalist në Europën Juglindore me një fokus të veçantë në Kosovë”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.

Ky artikull i publikuar në vitin 2012 ka gjithsej katër kapituj, ‘Shpërbërja e Jugosllavisë’, ‘Rritja e krimit të organizuar ndërkombëtar’, ‘Zgjerimi i Islamit radikal’ dhe ‘Globalizimi, konflikti kulturor dhe tendosja ekonomike: një diskutim’.

Artikulli ka zgjuar diskutim në Kosovë për shkak të përmbajtjes së tij.

Në kapitullin dy të këtij artikulli thuhet se “ka pasur akuza të shumta nga agjencitë perëndimore të zbatimit të ligjit se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), gjatë ngritjes së saj, bashkëpunoi me kriminelë etnikë shqiptarë brenda dhe jashtë Kosovës”… “Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Europën Perëndimore dhe SHBA-në. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.