Jahjaga: Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur e domosdoshme
Presidentja Jahjga thotë se zgjidhja e fatit të personave të zhdukur do të ndikonte në vendosjen e paqes në rajon. Ajo tha se BE duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë, që bëjnë më shumë në zgjidhjen e këtij problemi.

Lajme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka vlerësuar si të domosdoshme zbardhjen fatit të personave të zhdukur.
Këto komente, Jahjaga i bëri gjatë takimit që zhvilloi të martën me një delegacion të Grupit Punues të Kombeve të Bashkuara Kundër Zhdukjes me Forcë, të udhëhequr nga Airel Dulitzky, ku kërkoi nga Bashkimi Evropian të bëjë presion mbi Serbinë që të jetë më bashkëpunuese sa i përket fatit të personave të zhdukur.
“Që prej 15 vjet nga përfundimi i luftës, Kosova vazhdon të përballet me çështjen më të rëndë të mbi 1700 qytetarëve të saj të pagjetur. Është e domosdoshme që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë atyre, me qëllim të përmbylljes së një plage të rëndë në shoqëri dhe që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
“Zbardhja e fatit e të pagjeturve, do të vendosë edhe paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin e Ballkanit dhe do të ndihmojë edhe në krijimin e kushteve për ndërtimin e mirëbesimit dhe pajtimit mes njerëzve”.
“Kosova ka treguar konstruktivitet në çështjen e të pagjeturve dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë nga autoritetet në Serbi që të rrisin shkallën e bashkëpunimit me qëllim të zgjidhjes së fatit të të gjithë të pagjeturve .Krahas zbardhjes së fatit të të pagjeturve, duhet të vendoset edhe drejtësia për të gjitha familjet e të pagjeturve”, tha Jahjaga, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidencës.
Ndërkaq, Dulitzky e ka njoftuar Presidenten Jahjaga se qëllimi i këtij misioni faktmbledhës është njohja nga afër me çështjen e të pagjeturve në gjithë rajonin e Ballkanit si dhe sfidat me të cilat përballen vendet që kanë qytetarë të tyre të pagjetur, si pasojë e konflikteve të armatosura.
Ai tha se qëndrimi i OKB-së është që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të rajonit të cilët kanë kaluar nëpër konflikte të armatosura.