Ja çfarë thonë djemtë e mësuesit që rrahu nxënësit me dru

Dy djemtë e Agim Muçës, Sokol e Alket Muça, emigrantë në Itali, kanë mbërritur pranë familjes, në fshatin Orzhanovë të Ostrenit për të ndjekur vlerësimin e masës së sigurisë të babait në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Lajme

13/03/2016 09:54

“Jemi familje e nderuar dhe jemi befasuar për atë çfarë i ndodhi babait tonë. Babi dhe nëna jonë kanë mësuar disa breza fëmijësh në krahinë. Babai prej 40 vitesh ka ushtruar profesionin e arsimtarit dhe nuk është njohur kurrë si njeri i dhunshëm”, tha për “Panoramën” Alket Muça.

Sipas tij, janë dy-tre banorë të fshatit që sajuan akuzën e dhunimit të nxënësve. Sipas tyre, Agimi ka pasur marrëdhënie mjaft të mira e korrekte me nxënësit.

“Në katër dekada pune, thotë Alket Muça, babai nuk është qortuar një herë. Ai dhe mami kanë qenë edukatorët më të mirë të krahinës së Gollobordës. Prej muajsh jemi njoftuar se babait do t’i ngrenë kurth për ta larguar nga puna, por ne nuk ia thamë, për të mos e shqetësuar. Në muajin shtator të vitit 2015, një miku im më ka thënë se ndaj babait do të ngrihen akuza e kurthe për ta larguar nga puna”, vijoi rrëfimin e tij djali i Agim Muçës.

Ai nënvizoi se familja e tyre nuk ka pasur konflikte në fshat me askënd.

“Ne, tha Muça, kemi pasur dhe kemi marrëdhënie shumë korrekte me të gjithë banorët e fshatit. Nëna ime doli në pension si mësuese e nderuar. As konflikte pronësie nuk kemi pas me askënd. Qëllimi i akuzave të ngritura ka të bëjë me largimin e babait nga puna dhe zëvendësimi me dikë tjetër”. Sakaq, djali tjetër, Sokol Muça, përsërit herë pas here shprehjen se: “nëse babai ynë vërtet ka dhunuar nxënësit e fshatit, ne e dënojmë aktin e tij”.