Izraeli shkatërron stacionin e vetëm të energjisë në Gaza (Foto&Video)

Predhat e hedhura të martën nga tanket izraelite e kanë dëmtuar rëndë të vetmin stacion të energjisë elektrike në Rripin e Gazës, duke goditur rezervarin kryesor të karburantit, njoftojnë autoritet palestineze.

Bota

29/07/2014 15:40

Tanket izraelite kanë shkatërruar edhe shtëpinë e ish kryeministrit, Ismail Haniyeh, por raportohet se në atë moment në shtëpi nuk ka pasur njeri. 

Po ashtu, aeroplanët luftarakë palestinezë i kanë sulmuar afro 60 caqe gjatë natës, duke vënë në jetë kështu pohimet e kryeministrit Benjamin Netanyahu se do të vazhdojë të luftojë radikalët islamikë të Hamasit, të cilët e kontrollojnë Gazën.

Luftimet në Rripin e Gazës kanë hyrë në javën e katërt, përkundër thirrjeve të presidentit amerikan, Barack Obama dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për armëpushim të menjëhershëm mes palëve.

Punëtorët shëndetësorë palestinezë njoftuan po ashtu se nga sulmet e së martës janë vrarë së paku 24 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë.

Ndërsa zyrtarët izraelitë njoftuan se militantët palestinezë  e kanë shfrytëzuar një tunel për të hyrë në Izrael, me ç’rast i kanë vrarë pesë ushtarë izraelitë, afër venbanimit Nahal Oz, në afërsi të Rripit të Gazës.

Gjatë këtij sulmi, sipas autoriteteve izraelite, është vrarë edhe një militant i Hamasit, raporton BBC.

Në Rripin e Gazës që prej 8 korrikut kur u vranë tre të rinj izraelitë, nga luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, janë vrarë më se 1100 palestinezë, shumica prej tyre civilë, dhe 53 ushtarë izraelitë.