Italia ashpërson masat kundër COVID-19

Italia do t’i ashpërsojë masat kundër koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve të reja.

Bota

19/10/2020 08:50

Në një adresim televiziv, të dielën mbrëma, kryeministri Giuseppe Conte tha se masat janë të nevojshme “për të shmangur izolimin e plotë”.

Conte tha se kryebashkiakët do të kenë kompetenca për të mbyllur hapësirat publike pas orës 21:00, ndërsa orari i restoranteve do të kufizohet, ashtu si edhe numri i njerëzve që mund të grumbullohen në publik.

Konferencat lokale dhe festivalet do të pezullohen gjithashtu.

“Qeveria është këtu, por të gjithë duhet ta bëjnë pjesën e tyre”, tha Conte.

“Masat më efektive mbeten masat paraprake themelore: maska, distanca dhe higjiena e duarve”, shtoi ai.

Italia regjistroi të dielën 11,705 raste të reja me koronavirus, duke thyer rekordin e një dite më parë prej 10,925 rastesh.

Italia ka qenë vendi më i goditur në Evropë në fillim të pandemisë, në muajin mars.

Ajo ka regjistruar në total mbi 414,000 raste me koronavirus.

Numri i viktimave në Itali është 36,500 – më i larti në Evropë, pas Mbretërisë së Bashkuar. /Tch/