Ish-këshilltari i Thaçit: Gjykata Speciale argumentimin e ka politik, jo juridik

Këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar ndaj kryetares së Gjykatës Speciale, e cila, sipas publikimit të një raportimi konfidencial para diplomatëve evropianë nga Euronews, ka thënë se Kosova mund të tentojë ta zhvendosë Gjykatën Speciale në Prishtinë.

Lajme

16/02/2021 13:09

Behramaj ka thënë se kryetarja Ekaterina Trendafilova sërish me vajtimin e njëjtë qenka munduar t’i jep kahje thellësisht politike ndjekjes penale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Trendafilova për t’i arsyetuar shpenzimet marramendëse të taksapaguesve evropianë, sipas Behramajt, me argumentet e njëjta politike po përpiqet të ndikojë indirekt edhe në procesin e ankesës së palëve mbrojtëse për mundësimin e mbrojtjes në liri.

Sipas logjikës së operimit të Gjykatës Speciale, Behramaj ka ironizuar duke thënë se pas rrjedhjes së këtij transkripti, a pritet arrestimi edhe i ndonjë diplomati evropian apo i ndonjë gazetari të Euronewsit për publikimin e tij?

“Edhe pse po bëhen 6 vjet që kur është themeluar Gjykata Speciale, kryetarja Ekaterina Trendafilova sërish me vajtimin e njëjtë qenka munduar t’i jep kahje thellësisht politike ndjekjes penale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në një “raportim konfidencial” para diplomatëve evropianë, Trendafilova për t’i arsyetuar shpenzimet marramendëse të taksapaguesve evropianë, me argumentet e njëjta politike paska ndikuar indirekt edhe në procesin e ankesës së palëve mbrojtëse për mundësimin e mbrojtjes në liri.

Është e çuditshme sesi para çdo seance apo vendimi të rëndësishëm, Gjykatës Speciale gjithnjë i rrjedh diçka që godet ultë integritetin e ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Tash iu rrodhi transkripti i një raportimi konfidencial. Më herët iu rrodhën dokumente konfidenciale, që i përdorën si pretekst për arrestimin e krerëve të shoqatave të luftës. Pak ditë më pas, pikërisht nën atmosferën e Zgjedhjeve Presidenciale në SHBA, ku përqendrohet vëmendja globale, në mënyrë të “heshtur” dhe me minimum të vëmendjes i arrestuan katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, që ishin pjesë e aktakuzës së tretë.

Me publikimin skandaloz të propozim-aktakuzës, me rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale, me shtyrjen e seancës së 11 shkurtit për kalkulime politike, me rrjedhjen e transkriptit të rrëfimit para diplomatëve – të gjitha këto para çdo procesi të rëndësishëm që ndërlidhet me krerët e UÇK-së, Gjykata Speciale po shihet qartazi se më shumë e ka qëllim vazhdimësinë e të bërit politikë dhe arsyetimin e shpenzimeve financiare, se të bërit drejtësi. Lidershipi i institucioneve të BE-së do të duhej të shqetësohej me këtë qasje politike në proceset e drejtësisë.

Prej vitit 2011 janë duke u hetuar pretendimet për krime lufte dhe aktualisht, përkundër që janë të arrestuar, Gjykata Speciale ende është në kërkim të gjetjes së bashkëpunëtorëve për ta njollosur luftën e UÇK-së. Por, vajtimi i vazhdueshëm politik, Gjykatës Speciale i ka sjellë vetëm financa të reja, jo edhe dëshmi të reja.

Paaftësia e tyre për argumentim juridik gjithnjë rrëshqet në argumentim politik, ku si duket janë më të suksesshëm. Në fakt, kjo e zbulon edhe esencën e vërtetë të kësaj gjykate: natyrën politike!

Sipas logjikës së operimit të Gjykatës Speciale, pas rrjedhjes së këtij transkripti, a pritet arrestimi edhe i ndonjë diplomati evropian apo i ndonjë gazetari të Euronewsit për publikimin e tij?”, ka shkruar Behramaj. /Lajmi.net/