Ish-kandidatja e VV-së për Kuvendin Komunal të Kaçanikut shpallet fituese në konkursin e ATK-së

Magbule Jaha, e cila kishte kandiduar për anëtare të Kuvendit Komunal të Kaçanikut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është shpallur kandidate fituese në konkursin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për pozitën Zyrtare për Recepsion në rajonin e Ferizajt. Sipas rezultateve të publikuara nga ATK-ja, Jaha ka arritur të grumbullojë gjithsej 96.2 pikë në procesin…

Lajme

18/11/2026 15:55

Magbule Jaha, e cila kishte kandiduar për anëtare të Kuvendit Komunal të Kaçanikut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është shpallur kandidate fituese në konkursin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për pozitën Zyrtare për Recepsion në rajonin e Ferizajt.

Sipas rezultateve të publikuara nga ATK-ja, Jaha ka arritur të grumbullojë gjithsej 96.2 pikë në procesin e vlerësimit.

Nga ky rezultat, 50 pikë i ka marrë në testin me shkrim, ndërsa 46.2 pikë në intervistën me gojë.

Ky zhvillim vjen pasi më herët VOX Kosova kishte raportuar se në një konkurs tjetër të ATK-së ishte pranuar edhe kunata e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, për pozitën përkatëse në rajonin e Mitrovicës.

Çështja e punësimeve në institucionet publike dhe pretendimet për ndikime politike apo familjare në konkurse publike kanë qenë vazhdimisht temë e debatit politik në Kosovë.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë, kishte kritikuar vazhdimisht partitë në pushtet për nepotizëm dhe politizim të institucioneve publike.

Për rastin konkret, pikëzimi në konkurs dhe shpallja e kandidates fituese nuk dëshmojnë vetvetiu ndonjë parregullsi në procesin e përzgjedhjes. /Lajmi.net/