Kuvendi nesër mban seancë plenare, në rend dite shqyrtimi i parë i Buxhetit për vitin 2027
Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë plenare, e cila do të nisë në orën 11:00, me disa çështje dhe projektligje të parapara për shqyrtim. Njëra nga pikat kryesore të kësaj seance është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027. Deputetët do të shqyrtojnë…
Lajme
Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë plenare, e cila do të nisë në orën 11:00, me disa çështje dhe projektligje të parapara për shqyrtim.
Njëra nga pikat kryesore të kësaj seance është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu në lexim të parë Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë dhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Në rend dite është edhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.
Po ashtu, pritet të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Një tjetër pikë është edhe propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit të saj në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në këtë seancë do të trajtohen edhe nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi.
Ndërkaq, në fillim të seancës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare. /Lajmi.net/