Dëshmitari D1 në gjykimin e Ramadan Morinës: E pashë në mesin e serbëve, por nuk na rrezikoi asnjëherë

Dëshmitari me kodin D1, i cili ka kërkuar anonimitet të plotë, dëshmoi sot, më 18 nëntor, në gjykimin ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Burim të Malishevës. D1 tha se më 31 mars 1999 e kishte parë Morinën në mesin e serbëve. Kur u pyet nëse Morina i kishte…

Lajme

18/11/2026 15:53

Dëshmitari me kodin D1, i cili ka kërkuar anonimitet të plotë, dëshmoi sot, më 18 nëntor, në gjykimin ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Burim të Malishevës. D1 tha se më 31 mars 1999 e kishte parë Morinën në mesin e serbëve. Kur u pyet nëse Morina i kishte rrezikuar, dëshmitari tha se nuk ishin ndier asnjëherë të rrezikuar prej tij.

Seanca u mbajt në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Trupi gjykues kryesohet nga gjyqtari Rrahman Beqiri, me anëtare gjyqtaret Donikë Shala Avdyli dhe Violeta Namani Hajra.

Dëshmia u ndërpre pasi D1 tha se ishte në dhomë me një polic

Në fillim të dëgjimit, gjyqtari e pyeti D1 nëse ishte vetëm në dhomën nga ku po dëshmonte. D1 u përgjigj se ishte me një polic. Dëgjimi u ndërpre përkohësisht dhe gjyqtari urdhëroi që dëshmitari të qëndronte vetëm gjatë dhënies së dëshmisë.

Duke rrëfyer për ngjarjet e 31 marsit 1999, D1 tha se personat që kishin ardhur mbanin thika dhe armë dhe se i kishin ndarë burrat nga gratë. I pyetur nëse kishte parë edhe ndonjë shqiptar tjetër përveç Morinës, dëshmitari përmendi Shukri Krasniqin. Sipas D1, Krasniqi ishte i armatosur dhe ndodhej me një grup të veshur me të zeza, pjesëtarët e të cilit herë i vinin maskat e herë i hiqnin.

Mbrojtja e pyeti D1 pse kishte pritur 25 vjet për të dëshmuar. Ai tha se kishte pasur arsye personale dhe se kishte pritur derisa të vinte momenti. Duke folur për vendimin për të dëshmuar, D1 tha se tmerri i përjetuar atje nuk mund të paguhej me asgjë. I pyetur për moshën në kohën e ngjarjeve, ai tha se ishte rreth 10 deri në 12 vjeç.

Mbrojtja kundërshtoi ligjshmërinë e dëshmisë dhe e pyeti D1 nëse kishte ndonjë letër në tavolinë ose telefon me vete. Dëshmitari tha se telefonin e kishte në çantë, jashtë dhomës.

Çfarë thotë aktakuza?

Prokuroria Speciale e akuzon Ramadan Morinën se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, mori pjesë në aksionin e 31 marsit 1999 në vendin e quajtur “Vrella e Mihillit”, në fshatin Burim të Malishevës. Sipas aktakuzës, forcat serbe rrethuan zonën ku ishin strehuar rreth një mijë civilë shqiptarë të dëbuar nga disa fshatra të Malishevës.

Prokuroria pretendon se forcat serbe ndanë 35 burra nga gratë dhe fëmijët dhe i detyruan të rreshtoheshin. Sipas aktakuzës, një pjesëtar i forcave policore serbe qëlloi në drejtim të tyre, duke vrarë 34 civilë. Një burrë i mbijetoi sulmit.

Aktakuza e ngarkon Morinën edhe për pjesëmarrje në dëbimin e civilëve, si dhe në plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre. Sipas Prokurorisë, civilët u detyruan nën kërcënimin e armëve të largoheshin drejt Shqipërisë. Prokuroria pretendon gjithashtu se civilëve iu morën para, stoli dhe sende me vlerë, ndërsa automjetet dhe traktorët e tyre u dogjën.