IS e ekzekuton aktivisten për të drejtat e njeriut

Samira Saleh Al-Naimi është ekzekutuar në Mosul të Irakut, njofton Qendra e Gjirit për të Drejtat e Njeriut.

Bota

25/09/2014 18:39

Janë konfirmuar raportimet se një grup i personave të maskuar, që i takojnë Shtetit Islamik (IS) e kanë gjuajtur me armë zjarri dhe e kanë vrarë atë në një shesh publik në zemër të Mosulit. Ajo është kidnapuar nga Shteti Islamik në shtëpinë e saj javën e kaluar, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Avokatja Al Naimi i kishte përshkruar si “barbar” dëmin e shkaktuar nga IS mbi vendet dhe monumentet e lashta të Mosulit.

Samira Saleh Al-Naimi ka qenë një avokate dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut, e cila është marrë shumë me mbrojtjen e të paraburgosurve dhe ndihmën e dhënë familjeve në situata të pafavorshme në Mosul.

Qendra e Gjirit për të Drejtat e Njeriut e ka dënuar ashpër ekzekutimin e avokates së njohur dhe beson që i vetmi motiv për vrasjen e saj është puna e saj si aktiviste e të drejtave të njeriut, veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave të civilëve në qytetin e saj.

Organizata në fjalë beson që ky krim dhe krimet e tjera të Shtetit Islamik janë krime kundër njerëzimit.