Irinej: Kosova, e shenjtë për Serbinë
Patriarku i Serbisë, Irinej, në një intervistë ekskluzive për Top Channel komentoi reagimet lidhur me vizitën e tij në Shqipëri.
Lajme
Duke iu referuar rolit të kishës serbe në marrëdhëniet e shtetit për çështjen e Kosovës, ai thekson se Kosova është pjesa më e shenjtë për popullin serb.
“Në këto vise jetojnë një numër shumë i madh shqiptarësh, por kjo nuk është vetëm tani. Ne me shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë. Ato që po ndodhin në këto kohëra midis nesh, pra shkëputja e Kosovës dhe krijimi i një shteti të pavarur, ne na rëndon shumë. Kosova dhe Metohia për ne serbët janë pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Numri i madh i shenjtorëve që ne nderojmë në kishën tonë është nga kjo krahinë. Rezidenca e Patriarkanës serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që rezidenca e Patriarkanës serbe të jetë në një shtet tjetër. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe ta kuptojmë. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një zgjidhje të drejtë që të dyja palët të jenë të kënaqura. Nëse ne kemi jetuar me shekuj bashkë, pse të mos vazhdojmë të jetojmë përsëri bashkë. Një tjetër problem është se rreth 200-250 mijë serbë është dashur të lënë shtëpitë e tyre dhe të largohen nga Kosova dhe Metohia dhe nuk e kuptojmë pse ky popull nuk mund të kthehet në shtëpitë e veta, atje ku me qindra vjet kanë jetuar dhe të ketë një jetë normale midis dy popujve tanë”.
Sipas tij, “serbët asnjëherë nuk kanë qenë armiqësor në raport me shqiptarët. Në 1912, kur Kosova u çlirua nga Turqia, asnjë shqiptar nuk u përzu nga Kosova dhe Metohja”.