Irani mohon rrëzimin e dronit nga SHBA-ja: Frikësohemi se e kanë rrëzuar të vetin

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi duke mohuar deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump për rrëzimin e dronit iranian në Ngushticën e Hormuzit tha se SHBA-ja mund të ketë rrëzuar gabimisht ndonjë dron të sajin.

Bota

19/07/2019 14:16

Araghchi ka bërë një postim në llogarinë në Twitter në lidhje me deklaratën e Trumpit, transmeton Anadolu Agency.

“Nuk kemi humbur ansjë dron në Ngushticën e Hormuzit dhe në asnjë vend tjetër. Jam i shqetësuar se USS Boxer mund të ketë rrëzuar gabisht dronin e saj”, ka deklaruar Araghchi.

Në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë dje Trump theksoi se kishin rrëzuar një mjet ajror pa pilot (dron) të Iranit i cili kishte kërcënuar sigurinë e ekuipazhit dhe anijes sulmuese amfibe “USS Boxer” të Forcave Detare të SHBA-ve në Ngushticën e Hormuzit.

Trump gjithashtu bëri të ditur se dronin e Iranit e kanë rrëzuar me “qëllim mbrojtjeje” pasi i ishte afruar anijes deri në 900 metra pavarësisht paralajmërimeve të bëra disa herë.

Ndërkohë edhe ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif, për gazetarët në New York lidhur me deklaratën e Trumpit, tha se po e shqyrtojnë ngjarjen. “Nuk kam informacion që ne sot të kemi humbur një dron”, tha ai.