Investimet turke në trashëgimi – Donacione apo imponim ideologjish?
Hamami i Madh i Prishtinës pritet që të hyjë në një fazë të restaurimit dhe shndërrimit në muze.
Lajme
Rreth një milion euro janë paraparë që të investohen në këtë objekt të trashëgimisë kulturore.
Më shumë se gjysma e projektit do të financohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si dhe punimet do të kryhen nga një kompani që përzgjedhjet nga Qeveria turke.
Kështu thonë në Komunën e Prishtinës, institucion ky që do të investojë pjesën e mbetur të të hollave.
Por, projekti që është prezantuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës, ka nxitur reagime të shumta për shkak se Hamamit të Madh i është ndërruar emri në “Fatih Hamami Muzesi”.
Blerim Latifi, profesor në Universitetin e Prishtinës, kundërshton faktin që Qeveria turke të financojë dhe zbatojë restaurimin e këtij objekti të trashëgimisë.
“TIKA ka investuar fonde të mëdha në objekte të caktuara të trashëgimisë historike, të cilat kanë referenca nga historia e Perandorisë Osmane. Mirëpo, ky investim në shumë raste nuk i ka respektuar fare principet, ligjet, kushtet ligjore të restaurimit. Përkundrazi, ato në shumë raste kanë ndërhyrë duke fshirë gjurmë origjinale në objektet e trashëgimisë sonë historike dhe duke krijuar modifikime të ndryshme në funksion të qëllimeve ideologjike aktuale të cilat i ka presidenti turk (Recep Tayyip Erdogan)”, shprehet Latifi.
Latifi thotë se është skandaloz propozimi për emërtimin e Hamamit të Madh të Prishtinës me emërtimin “Fatih Hamami Muzesi”.
Në rast se mbahet ky emërtim, sipas profesorit Latifi, atëherë ky objekt kulti shndërrohet në muze të Sulltan Mehmetit II, që sipas tij njihet për sundimin e egër tridhjetëvjeçar të popullatës shqiptare.
“Ngritja e një muzeu të tillë në kryeqytetin e Kosovës përbën njëlloj fyerje, një lloj fyerje ndaj kujtimit historik të atyre viktimave, të atyre ngjarjeve. Është një lloj lëndimi, ofendimi i sensit tonë të lirisë edhe i sensit tonë të identitetit kombëtar”, tha Latifi.
Latifi thotë se projekti i TIKA-s për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë duhet të anulohet në mënyrë që të mos lejohet të ndodhë e njëjta gjë që ka ndodhur me xhamitë që janë financuar nga shteti turk, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Komuna e Prishtinës: Është keqkuptim
Por, në Komunën e Prishtinës mohojnë se do të ndryshohet emri i hamamit.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se është krijuar keqkuptim lidhur me ndryshimin e emrin të Hamamit.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti u shpreh se TIKA nuk ka vendosur asnjë kusht dhe pas restuarimit, Hamami i Madh do të shërbejë për ekspozita, konferenca dhe ngjarje të tjera që do të organizohen nga komuna që ai udhëheq.
“Vitin e kaluar kemi kërkuar financim nga Agjencioni Zhvillimor Turk, TIKA dhe kemi marr përgjigje pozitive. TIKA po financon edhe Qendrën e Autizmit dhe Sindromës Down dhe ka financuar edhe projekte të tjera sociale. Nuk kanë kërkuar e as që kërkojnë që Hamami të jetë muze, e as që të quhet në një mënyrë apo tjetrën. Kjo ndërtesë quhet Hamami i Madh dhe do të mbetet me atë emër”, ka shkruar Ahmeti.