​Trump: ShBA do të “udhëheqë” anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se SHBA-të do të ndihmojnë në nxjerrjen e anijeve të bllokuara nga Ngushtica e Hormuzit nga e hëna. Trump tha se çdo ndërhyrje në këtë proces, të cilin e quajti “Projekti Liri”, do të “duhet të trajtohet me forcë”. “Për të mirën e Iranit, Lindjes së Mesme dhe Shteteve…

Bota

04/05/2026 08:31

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se SHBA-të do të ndihmojnë në nxjerrjen e anijeve të bllokuara nga Ngushtica e Hormuzit nga e hëna.

Trump tha se çdo ndërhyrje në këtë proces, të cilin e quajti “Projekti Liri”, do të “duhet të trajtohet me forcë”.

“Për të mirën e Iranit, Lindjes së Mesme dhe Shteteve të Bashkuara, ne u kemi thënë këtyre vendeve se do t’i nxjerrim anijet e tyre në mënyrë të sigurt nga këto rrugë ujore të kufizuara”, shkroi ai në mediat sociale, pa specifikuar se cilat vende do të merrnin ndihmë.

Irani ka kufizuar rëndë trafikun përmes kësaj rruge ujore jetësore që nga fillimi i luftës në shkurt. SHBA-të gjithashtu kanë zbatuar një bllokadë detare në portet iraniane, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Ligjvënësi i lartë iranian Ebrahim Azizi, një ish-komandant në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, shkroi në mediat sociale se “çdo ndërhyrje amerikane” do të “konsiderohej shkelje e armëpushimit”.

Në postimin e Trump, ai tha gjithashtu se përfaqësuesit e SHBA-së po zhvillonin diskutime “shumë pozitive” me Iranin dhe se këto bisedime “mund të çonin në diçka shumë pozitive për të gjithë”.

Trump shtoi se operacioni do të ishte një “gjest humanitar” i bërë në emër të SHBA-së, Iranit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, pa renditur se cilat vende. Ai nuk dha detaje të mëtejshme se si do të menaxhohej bashkëpunimi me Teheranin.

“Në të gjitha rastet, ata thanë se nuk do të kthehen derisa zona të bëhet e sigurt për lundrim, dhe gjithçka tjetër… Lëvizja e anijeve ka për qëllim thjesht të lirojë njerëz, kompani dhe vende që nuk kanë bërë absolutisht asgjë të gabuar”, tha Trump.