Instituti GAP: Roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh

Në një kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh. Përveç remitencave të cilat kanë shënuar rritje gjatë pandemisë, rënie vërehet në investimet e diasporës në patundshmëri në Kosovë dhe blerje të gjësendeve për familjarët.

Lajme

08/11/2020 10:58

Instituti GAP thotë se ajo çfarë mbetet më me ndikim për ekonominë tonë, janë të hyrat nga shpenzimet që bën diaspora gjatë vizitave në Kosovë, e të cilat kanë rënë ndjeshëm.

“Para pandemisë, shpenzimet e diasporës gjatë vizitave në Kosovë llogaritej të kapnin vlerën mbi 328 milionë euro apo 4.6% të BPV-së në vit. Ndërsa këtë vit, përfitimi i ekonomisë së Kosovës pritet të jetë i vogël, rreth 0.55% deri 1.83% të BPV-së. Përveç frikës nga virusi korona, pengesë për ardhjen e diasporës gjatë verës ishin masat e ndërmarra nga Kosova dhe shtetet tjera për qytetarët që e vizitojnë Kosovën. Rritja drastike e numrit të të infektuarve para sezonës së verës bëri që shumë shtete në Evropë ta kualifikojnë Kosovën si një ndër vendet me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së infeksionit. Shkurtimi i qëndrimit të diasporës në Kosovë ka pasoja të dukshme në ekonominë e Kosovës dhe i ka ndikuar negativisht sektorë të ndryshëm të ekonomisë duke filluar nga hoteleria, tregtia me pakicë, derivatet, gastronomia, etj”, thuhet në komunikatën e GAP.

Sipas GAP, në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali financiar i diasporës, Kosova duhet të hartojë politika që nxisin ridestinimin e remitencave drejt investimeve dhe kursimit, duke krijuar platforma investuese apo emituar obligacione qeveritare për diasporën; të ulet kosto e transferit të remitencave; dhe të rriten programet mbi edukimin financiar të familjeve pranuese të remitencave; Qeveria e Kosovës duhet ta finalizojë regjistrin e diasporës i cili duhet të përmbajë fushat e tyre të punës, përvojën profesionale, dhe gatishmërinë për zhvendosje të përkohshme etj; të krijohen rrjete profesionale dhe plane me qëllime konkrete për inkuadrimin e diasporës në ekonomi; të përmirësohet ambienti i biznesit me theks në forcimin e sundimit të ligjit, të drejtave të pronësisë intelektuale dhe transparencës. /Lajmi.net/