Instalimi në kufirin e SHBA me Meksikën shpallet dizajni i vitit 2020

Instalacioni qëndroi për vetëm 40 minuta në kufi në korrik të 2019-tës dhe synonte të nxiste një ndjenjë uniteti në kufirin përçarës mes dy vendeve.

Fun

21/01/2021 16:50

Një instalacion nga studioja arkitekturore Rael San Fratello, që lidhi fëmijët në SHBA dhe Meksikë përmes një kolovajze në murin kufitar të dy vendeve, ka fituar çmimin “Dizajni i Vitit 2020” në ceremoninë “Beazley Designs of the Year” të organizuar nga Muzeu i Dizajnit në Londër.

Instalacioni i quajtur “Teetter Totter Wall” kishte tre kolovajze në ngjyrë rozë të vendosura në një pjesë të murit kufitar që ndan El Paso në Texas me Juarez në Meksikë. Ky instalacion në formën e një këndi lojërash u lejoi fëmijëve dhe të rriturve të luanin me njëri-tjetrin pavarësisht pengesës së murit.

Instalacioni qëndroi për vetëm 40 minuta në kufi në korrik të 2019-tës dhe synonte të nxiste një ndjenjë uniteti në kufirin përçarës mes dy vendeve, i cili ishte shumë i politizuar nën administrimin e Donald Trump.

Ne jemi plotësisht të befasuar nga ky nder i papritur,” tha Ronald Rael, i cili hartoi projektin me arkitektin tjetër Virginia San Fratello.

Kjo është e mrekullueshme. Më e rëndësishmja vjen në një kohë kur ne kemi shpresë për ndryshim dhe po nisim të ndërtojmë më shumë ura se mure”, tha San Fratello.

Muri metalik ishte menduar që të ishte një pengesë e fortë për të ndarë SHBA-të nga Meksika, si pjesë qendrore e politikave agresive të emigracionit të ish-presidentit Donald Trump. Por për një moment muri u bë një vend kryqëzimi për dy vendet, përmes kolovajzave që i lejonin fëmijët e dy vendeve të luanin së bashku dhe prandaj ky instalacion është vlerësuar më së shumti për simbolikën e tij.

Kujtojmë se pas betimit të tij, Joe Biden nënshkroi një dekret për ndërprerjen e fondeve të siguruara për murin e ngritur në kufi me Meksikën i cili ka qenë një prej vendimeve më të debatueshme në periudhën e Trumpit. Muri i Trump nuk do të përfundojë, por as nuk do të shkatërrohet. Nga ana tjetër, mbikëqyrja teknologjike në kufi do të forcohet. /Lajmi.net/