Inspektorati ndalon mbi 38 mijë lodra për fëmijë që nuk plotësojnë standardet – vlera e tyre shkon rreth 100 mijë euro
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimi për lodrat e fëmijëve, me qëllim që në tregun e Kosovës të lejohen vetëm produkte që i përmbushin standardet e sigurisë. Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë zhvilluar si në tregun e brendshëm ashtu edhe në pikat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe…
Lajme
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimi për lodrat e fëmijëve, me qëllim që në tregun e Kosovës të lejohen vetëm produkte që i përmbushin standardet e sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë zhvilluar si në tregun e brendshëm ashtu edhe në pikat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe shpërndarjen e lodrave që nuk janë në përputhje me kriteret e sigurisë të përcaktuara në Rregullorja Nr. 02/2017 për Sigurinë e Lodrave, transmeton lajmi.net.
Nga kontrollet në zonat doganore, inspektorët kanë ndaluar mbi 38 mijë lodra për fëmijë, me një vlerë të përafërt prej 100 mijë euro, pasi këto produkte nuk plotësonin kushtet ligjore dhe nuk kishin dokumentacionin e nevojshëm për t’u hedhur në treg.
Ndërkohë, gjatë inspektimeve në tregun e brendshëm janë sekuestruar edhe 2,547 lodra, pasi u konstatua se nuk përmbushnin standardet e kërkuara të sigurisë.
Inspektorati thekson se mbrojtja e konsumatorëve, sidomos e fëmijëve, mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit. Përmes aksioneve të tilla synohet që në treg të qarkullojnë vetëm produkte të sigurta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet e ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa operatorët ekonomikë janë ftuar që të respektojnë rregullat dhe standardet ligjore për produktet që tregtojnë./lajmi.net/