Infektologu thirrje politikanëve: Mos bëni fushatë në oda, rritja e infeksionit e pashmangshme

Kanë mbetur edhe dy javë para fillimit të fushatës elektorale nga partitë politike për zgjedhjet komunale të cilat pritet të mbahen me 17 tetor.

Lajme

01/09/2021 09:27

E mbajtja e tubimeve publike në kohën kur vendi po përballet me numër të madh të të infektuarve me COVID-19, po shihet si mundësi e rritjes së numrit të rasteve të reja me Coronavirus.

Infektologu Ilir Tolaj tha se partitë politike duhet që t’i shmangin tubimet elektorale në mënyrë që të mos e kemi edhe një valë të re të Coronavirusit.

“Ne e kemi shembullin kur valën e tretë të pandemisë e shkaktoi fushata zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Ky gabim dhe kjo formë e fushatës nuk duhet të përsëritët tash për zgjedhjet lokale. Fushatat duhet të jetë minimale kokësish dhe kryesisht e formës virtuale, nëse dëshirojmë që t’i shmangemi edhe një vale të re të pandemisë”, tha Tolaj

Tutje, Tolaj tha se partitë politike duhet që t’i ndalin edhe tubimet nëpër oda.

“Padyshim. Fushatë me tubime me njerëz nëpër oda, kafe, lokale të mbyllura, e të ngjashme nuk duhet të ketë fare. Nëse ky rekomandim nuk përfillet, mundësia për përhapjen e infeksionit që do të rezultojë me raste të reja do të jetë e pashmangshme”, deklaroi ai për FrontOnline

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vend kanë vdekur 20 persona nga COVID-19 dhe janë infektuar 932 persona.