Infantino: Për vetëm dy javë 150 milionë kërkesa për bileta për Botërorin

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se në vetëm dy javë janë regjistruar 150 milionë kërkesa për bileta për ndeshjet e Botërorit të vitit 2026. Gjatë Samitit Botëror të Sportit në Dubai, Infantino ka thënë se FIFA ka në shitje rreth gjashtë deri në shtatë milionë bileta, ndërsa procesi i shitjes ka nisur…

Sport

29/12/2025 20:58

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se në vetëm dy javë janë regjistruar 150 milionë kërkesa për bileta për ndeshjet e Botërorit të vitit 2026.

Gjatë Samitit Botëror të Sportit në Dubai, Infantino ka thënë se FIFA ka në shitje rreth gjashtë deri në shtatë milionë bileta, ndërsa procesi i shitjes ka nisur rreth dy javë më parë.

Sipas tij, kjo do të thotë mesatarisht rreth 10 milionë kërkesa për bileta në ditë.

“Kjo tregon sa i fuqishëm është Botërori. Shtetet e Bashkuara janë vendi me më së shumti kërkesa, të ndjekura nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar”, ka deklaruar Infantino.

Ai ka shtuar se rreth gjashtë–shtatë milionë tifozë pritet të jenë në stadiume, ndërsa rreth gjashtë miliardë njerëz do ta ndjekin Kupën e Botës nga shtëpitë.

Sipas presidentit të FIFA-s, Botërori 2026 pritet të gjenerojë mbi 10 miliardë euro të ardhura, të cilat do të riinvestohen në zhvillimin e futbollit në mbarë botën.

Infantino u është përgjigjur edhe kritikave për mbingarkesë me ndeshje futbolli, duke thënë se në disa pjesë të botës ka shumë futboll, por në pjesë të tjera jo mjaftueshëm.

Ai ka theksuar se FIFA po përpiqet të gjejë një ekuilibër mes futbollit të klubeve dhe atij të kombëtareve, si dhe mes ndeshjeve të rëndësishme dhe atyre më pak domethënëse.

Presidenti i FIFA-s ka përmendur edhe investimet në zhvillimin e futbollit, duke theksuar se FIFA ka krijuar 100 akademi futbolli në 100 vende të ndryshme.

Duke folur për Kupën e Botës për Klube, Infantino ka thënë se përveç ekipeve kombëtare, FIFA po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje edhe futbollit të klubeve, pasi, sipas tij, të gjithë lojtarët luajnë për klube, ndërsa vetëm një pjesë e vogël përfaqëson kombëtaret.