Industrisë gjermane i mbaron lënda e parë

9:19 | 3 Gusht 2021

Nga druri deri tek granulatet plastike, nga çeliku tek chip-at elektronikë – ekonomisë gjermane i mungojnë gjithnjë e më shumë lëndët e para. Pakënaqësia rritet, prodhimi ngec.

Industria gjermane po vuan gjithnjë e më shumë nga mungesa e lëndëve të para. Sipas Institutit gjerman, Ifo, aktualisht më shumë se 64% e sipërmarrjeve ankohen, se kanë probleme furnizimi, ngushtica në furnizime, gjë që pengon proceset e prodhimit. “Që në tremujorin e mëparshëm sipërmarrjet kanë njoftuar, se mungesat kapin vlera rekord, por kjo është tejkaluar edhe një herë tani”, është shprehur eksperti i Ifo-s, Klaus Wohlrabe të hënën (02.08) për mediat në Mynih. Kjo përmban rrezikun e dobësimit të ekonomisë, sipas tij.

Prodhuesit gjermanë aktualisht po përdorin rezervat që kanë në magazina, por “edhe ato po boshatisen gjithnjë e më shumë”, thotë eksperti Wohlrabe. Një problem tjetër është edhe rritja pjesërisht shumë e madhe e çmimeve të blerjes, thotë ekonomisti Wohlrabe, shkruan dpa.

Më shumë se dy të tretat e prodhuesve të automjeteve dhe furnizuesit ankohen, se nuk gjejnë chip-a dhe elementë të tjerë elektronikë. Volkswagen për shembull në gjysmën e parë të këtij viti për shkak të mungesave në furnizime nuk mundi të prodhonte 100.000 automjete sipas planit dhe raporton që tani për probleme në furnizim për vitet 2023-/2024.

Bie euforia e sipërmarrjeve gjermane

Kurse rritja e fortë e çmimeve të granulateve plastikë i ka vënë para problemeve të vështira prodhuesit e produkteve të gomës dhe atyre plastike. Probleme kanë edhe shumica e prodhuesve të pajisjeve elektronike dhe makinerive. Shoqata Gjermane e Makinerive dhe Ngritjes së Komplekseve, VDMA është shprehur se nuk mungojnë komponentët elektronikë, por edhe çeliku është lëndë mjaft e kërkuar.

Kjo gjendje e vështirë e furnizimit ka ulur euforinë e sipërmarrjeve gjermane, thotë kryekonomisti, Ralph Wiechers. “Ngushtica në lëndë të para dëmton planet e prodhimit të sipërmarrjeve.” Rritja e numrit të infektimeve në shumë vende që janë tregje të rëndësishme për sektorin e makinerive i kanë nënë presion zinxhirët e furnizimit”, thekson Wiechers, sipas afp. Ngushticat në furnizimet janë në nivel botëror, kjo për shkak të rritjes së menjëhershme të kërkesës në botë, më shpejt se pritej dhe mungesave në kapacitetet e transportit./dw