Imazhi i UP’së u dëmtua

LDK ka folur për zhvillimet e fundit në UP. Tha se me ngjarjet e fundit këtij institucioni iu dëmtua rëndë imazhi. LDK tha se këtë vit në fushën e arsimit ka pasur vetëm ngecje.

Lajme

28/12/2013 13:53

Këshilli i Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka adresuar shqetësimet e tyre në fushën e arsimit. Kujtim Shala tha se ngjarjet e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë dëmtuar rëndë imazhin e këtij institucioni dhe këtë gjendje e sheh si rezultat i ndërhyrjet e Qeverisë në institucionet e pavarura.

LDK thotë se është e domosdoshme që institucionet e dijes të depolitizohen.

“Ndodhitë e fundit në Universitetin e Prishtinës e kanë dëmtuar shumë imazhin e këtij institucioni. LDK konsideron se kjo është pasojë e ndërhyrjeve të Qeverisë në institucionet e pavarura”.

“LDK edhe njëherë shpreh domosdonë që institucionet e dijes dhe të arsimit të nxirren jashtë ndikimeve të politikës dhe që ato të formohen mbi baza profesionale e sipas standardeve të institucioneve moderne”.

LDK thotë se gjatë qeverisjes së saj ata do të reformojnë UP’në dhe poashtu lipset një verifikim ndërkombëtarë për universitetet e themeluar në vitet e fundit.

“LDK poashtu e ka bërë gati planin për reformimin tërësor të Universitetit të Prishtinës, mbi bazë të së cilës do të ristrukturohet dhe do të çlirohet nga ndikimi i politikës dhe do të funksionojë si një institucion modern i arsimit të lartë”.

“LDK vlerëson se është i domosdoshëm një verifikim ndërkombëtar i punës së universiteteve publike që janë themeluar gjatë viteve të fundit, meqë drejtuesit dhe pedagogët janë zgjedhur mbi baza të dyshimta, joprofesionale dhe politike dhe se cilësia është tepër e ulët”.

Kujtim Shala, thotë se viti 2013 në fushën e arsimit ka pasur shumë ngecje. Ai thotë se bazuar në investimet për këtë vi në arsim, kjo fushë  nuk është prioritet i Qeverisë.

LDK e konsideron blerjen e librave nga Qeveria për shkollimin fillor dhe të mesëm është i kundërligjshëm.

“LDK e konsideron se gjatë vitit 2012 ka pasur ngecje të mëdha në fushën e arsimit dhe se nuk është shënuar asnjë rezultat në atë të shkencës”.

“Buxheti për arsim për vitin 2013 e bën të pamundur që të investohet në mënyrë substanciale. Buxheti tepër i ulët dëshmon që Qeveria s’e ka prioritet arsimin dhe nuk tregon ndjeshmërinë më të vogël për institucionet e shkencës”.

“Cilësia e arsimit parauniversitar vijon të jetë tepër e ulët. Rritja mekanike e numrit të studentëve në universitetet publike dhe hapja e pastudiuar e universiteteve të reja, mbi vlerësime e vendime më tepër elektorale sesa profesionale e ka dëmtuar më shumë cilësinë e arsimit”.

“Blerja e librave për shkollat fillore dhe të mesme të ulëta ka qenë e kundërligjshme. Është konstatuar se në 6 shkolla janë dërguar mbi 500 mijë ekzemplarë libra, më shumë se sa ka qenë e nevojshme”.

Ai tha se në qeverisjen e LDK’së, do të formohet Qendra e Studimeve të Avancuara.

“LDK do t’i reformojë institucionet e shkencës dhe do të themelojë Qendrën për Studime të Avancuara”, tha Kujtim Shala.