Imami Rocker

A është rock muzika e papërputhshme me Islamin? Kjo është pyetja me të cilën ballafaqohet Imami i një xhamie të vogël në Turqinë Jugore, i cili është nën hetime për shkak të këndimit në një bend gjatë kohës së lirë. Autoritetet fetare turke kanë filluar procesin për të kuptuar nëse Ahmet Muhsin Tuzer, 42 vjeçar,…

ShowBiz

02/12/2013 18:11

A është rock muzika e papërputhshme me Islamin?

Kjo është pyetja me të cilën ballafaqohet Imami i një xhamie të vogël në Turqinë Jugore, i cili është nën hetime për shkak të këndimit në një bend gjatë kohës së lirë.

Autoritetet fetare turke kanë filluar procesin për të kuptuar nëse Ahmet Muhsin Tuzer, 42 vjeçar, mund ta mbajë punën e tij si Imam në xhaminë në Pinarkoy, vendbanim me 80 banorë afër qytetit Kas, në bregdetin Mesdhetar.

Tuzer e thërret ezanin pesë herë në ditë dhe e udhëheq namazin e komunitetit të tij. Nuk ka pasur ankesa për sjelljet e tij në punë, por është hobi ai i cili sjell probleme.

“Kam dëgjuar se vendimi do të merret për dy – tri javë. Çfarëdo që të jetë ai, unë do të vazhdoj të bëj muzikë”.

Karriera e Tuzer’it si rock këngëtar mori nam në muajin gusht, kur ai realizoi koncertin e parë – dhe të vetmin deri më tash – me bendin e tij FiRock, në Kas, i cili mblodhi një mijë spektatorë. Prezenca e mediave e shndërroi atë në një yll lokal.

Tuzer e pranon se bendi e mbajti koncertin me qëllim të promovimit.

“Nëse muzika arrin të depërtojë në zemrat e njerëzve dhe i mbush ato me ide të bukura, atëherë është një akt adhurimi”.

“Nuk ka rendësi lloji i muzikës që këndoni, apo instrumentet në të cilat  luani – kryesori është synimi”.

Njëra nga këngët e tij, Come to God (Mevlaya Gel), ka të bëjë me kërkimin e njeriut për arritjen e iluminimit religjioz. Në video-klipin e saj, në prapavijë shihet Xhamia e Kaltër dhe Aja Sofia.

Albumi i parë i FiRock, Time for Change, është incizuar në Stamboll, dhe do të lansohet në javët në vijim, kur edhe do të kuptohet fati i Tuzer’it si Imam.

Derisa ekspertët fetarë në Ankara janë duke e analizuar situatën e tij, ai është duke e planifikuar karrierën e ardhshme.

“Duam të performojmë në tërë botën. Kemi oferta nga SHBA”.

Institucioni më i lartë fetar në Turqi, Diyanet, ende nuk ka dhënë ndonjë koment për këtë rast, por ka mundësi që të kërkojnë prej Tuzer të heqë dorë nga rock muzika.

“Mund të thonë se nëse më lejojnë të vazhdoj, herën tjetër do të duhet të ballafaqohen me një Jazz Imam ose Rap Imam. Pra, kjo do të nënkuptonte se do ta humbin fuqinë e kontrollit”.

Por, Tuzer nuk do ta pranonte një vendim të tillë pa luftë.

“Do t’i çoj në gjyq nëse vendosin kësisoj”.

A.M.

 

FiRock – Mevlaya Gel