I vazhdohet paraburgimi Veselinovic’it
Zharko Veselinovic edhe për një muaj në paraburgim. Gjyqtari i EULEX’it e mori këtë vendim pasi që ekziston rreziku i arratisjes së tij për shkak të lidhjeve me Serbinë.
Lajme
I është vazhduar paraburgimi Zharko Veselinovicit për një muaj. Ky vendim erdhi pasi që gjyqtari konsideroi se ekziston rreziku i arratisjes dhe se i pandehuri ka lidhje me Serbinë.
Vendimin për paraburgim e mori një gjyqtar i EULEX’it i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Mitrovicës pas kërkesës së prokurorit të EULEX’it për vazhdimin e paraburgimit.
I pandehuri Zharko Veselinovic dyshohet për disa vepra penale duke përfshirë këtu veprat: tentim vrasje e rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo përdorim të paautorizuar të armës, mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës, vjedhje e rëndë, pengim i personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe mashtrim.
Gjykatësi kishte konstatuar se ka prova të reja lidhur me akuzën për tentim vrasjen e dy policëve. Ndërkohë që provat e tilla do të shqyrtohen dhe do të vlerësohen më tutje.
Në anën tjetër, vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar lidhur me akuzën për mbajtje në posedim të paautorizuar të armës. Ndërsa, për akuzat tjera është vlerësuar se nuk ka dyshime të bazuara kundër këtij të pandehuri.
Sipas procedurave penale, prokuroria dhe të pandehurit kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi.