I shtrenjti Art
Piktura e Francis Bacon, që paraqet mikun e tij Lucian Freud, është bërë vepra më e shtrenjtë e të gjitha kohëve. Ajo u shit sot për 142 milionë dollarë. Besohet se blerësi është Roman Abramovich.

ShowBiz
Një vepër e Francis Bacon, në të cilën paraqitet miku i tij, piktori Lucian Freud, është bërë më e shtrenjta e të gjitha kohëve. Ajo u shit sot për 142 milionë dollarë.
Beteja e ashpër në shtëpinë e auksionit Christie’s zgjati gjashtë minuta. Oferta përfundimtare ishte 127 milionë dollarë, por pas shpenzimeve të komisionimit prej 15 milionë dollarëve, çmimi i plotë arrin në 142 milionë dollarë.
Triptiku Three Studies of Lucian Freud, i krijuar në vitin 1969, konsiderohet si njëra ndër kryeveprat më të rëndësishme të Bacon.
Ky çmim e zhvendosi nga froni veprën The Scream, të Edvard Munch, e cila vjet u shit për afro 120 milionë dollarë.
Besohet se “blerësi anonim” është Roman Abramovich, miliarderi rus dhe pronari i klubit futbollistik Chelsea.

Abramovich është i njohur si adhurues i artit, veçanërisht i Francis Bacon. Në vitin 2008 bleu veprën e tij, Triptych, 1976, për të cilën pagoi 86.3 milionë dollarë, që deri tash ishte çmimi më i lartë për një vepër të Bacon.
Sidoqoftë, ky nuk ishte rekordi i vetëm në auksionin e sotëm.
Vepra e Jeff Koons arriti çmimin më të lartë për një artist të gjallë.
Jeff Koons: Balloon Dog (Orange), 1994
Skulptura Balloon Dog (Orange) – njëra nga seria prej pesë skulpturave me çelik të pandryshkshëm, u shit për 58.4 milionë dollarë.
Deri më sot, Gerhard Richter ishte artisti që kishte shitur më së shtrenjti një vepër për së gjalli të vet. Piktura Domplatz, Mailand, (1968), e cila paraqiste sheshin e Katedrales së Milanos, ishte shitur 37.1 milionë dollarë në maj të këtij viti.
Gerhard Richter: Domplatz Mailand, 1968
Bacon, i njohur për triptikët, e krijoi Three Studies of Lucian Freud në vitin 1969, në hapësirat e Royal College of Art, në Londër, pasi studioja e tij ishte shkatërruar nga një zjarr.
Francis Bacon dhe Lucian Freud (Londër, 1950).
Freud dhe Bacon u takuan në vitin 1945 dhe u bënë miq të ngushtë, por miqësia e tyre filloi të ftohej gjatë viteve 1970. Disa herë e pikturuan njëri tjetrin.

Është i njohur portreti që Freud ia kishte bërë Bacon në vitin 1952, i cili u vodh në Galerinë Kombëtare në Berlin, gjatë një ekspozite në 1988.
A.M.
Raporti i BBC për auksionin e sotëm.