“I mëshoi thikë pas shpine”- Dëshmitari tregon çfarë pa ditën kur ndodhi vrasja në Zllakuqan, thotë se s’kishin probleme me të akuzuarin

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Skender Krasniqi për vrasjen e F.Z., u dëgjua dëshmitari Ilir Zani, i cili tha se nuk kishin probleme me të akuzuarin, ndërkaq tregoi se si kishte ndodhur ngjarja në ditën kritike. Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të…

Lajme

24/02/2026 18:54

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Skender Krasniqi për vrasjen e F.Z., u dëgjua dëshmitari Ilir Zani, i cili tha se nuk kishin probleme me të akuzuarin, ndërkaq tregoi se si kishte ndodhur ngjarja në ditën kritike.

Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Menduhi Kastrati, dëshmitari deklaroi se kishte qenë bashkë me tani të ndjerin kur kishte ndodhur ngjarja.

Sipas Zanit, me tani të ndjerin kishin shkuar tek shtëpia e të akuzuarit për të lajmëruar se djali i tij T., kishte therur me thikë djalin e tani të ndjerit F.Z., ndërsa i akuzuari ishte përgjigjur se nuk dinte asgjë.

I kemi thënë që T., e ka therë A., ky tha sdi kurgja edhe jemi nisë teposhtë”, tha dëshmitari Zani.

Lidhur me momentin kritik, dëshmitari tha se me viktimën ishte në distancë rreth dhjetë metra, ndërsa e kishte parë të akuzuarin duke e goditur me thikë.

Edhe veç e kam pa që ky, i ka mëshu thikë mas shpine, pa i pas borxh, pa pas kurgjo”, tha Ilir Zani.

Dëshmitari Zani theksoi se ishte nisur në shtëpi ku kishte marrë kamionetën dhe bashkë me D.K., i cili i kishte ndihmuar, e kishin dërguar të ndjerin në ambulantë në Magure.

Sipas planifikimit të Gjykatës, në këtë seancë pritej të dëgjohen edhe dëshmitarët Beqir Krasniqi dhe Krenare Krasniqi, mirëpo për shkak të përfundimit të orarit të punës së kësaj Gjykate, seanca e sotme u ndërpre.

Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.

Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.

Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.

Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.

Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim  të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.