I kënaqur me ndryshimet
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi është i kënaqur me ndryshimet që sollën zgjedhjet për Kryetarë të Komunave. Thotë se këto rezultate kanë dalë edhe përtej pritjeve të tij dhe vlerëson se ato janë mesazh i qartë për ndryshime.

Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur i kënaqur me ndryshimet që sollën zgjedhjet lokale në shumicën e Komunave të Kosovës.
Pavarësisht faktit se partia e tij, Partia Demokratike e Kosovës, humbi një numër të komunave që i kontrollonte deri më tani, Krasniqi ka thënë se “ndryshimet janë të rëndësishme” dhe se “rezultatet kanë qenë mesazh i qartë për ndryshime”.
“Ju e dini që unë kam qenë për ndryshime dhe konsideroj që në balotazh kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme sa i përket ndërrimit të akterëve të qeverisjes”, ka thënë Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Konsideroj se qytetarët e Kosovës kanë dhënë një mesazh të qartë se janë për ndryshime dhe janë për mirëqeverisje”.
I pyetur nëse i ka pritur këto ndryshime, Krasniqi është shprehur se “ka diçka që e kemi pritur, ka diçka që nuk e kemi pritur”.
“Ajo çka është e rëndësishme është se ndryshimet janë në interes të qytetarëve dhe kjo mendoj është më e mira e mundshme që ka mundur të dalë nga këto zgjedhje”.
Ai nuk ka dashur të japë ndonjë koment për rezultatin e “Listës Serbe”, e cila mori kontrollin në nëntë komuna të Kosovës.
“Unë nuk kam koment. Janë qytetarët ata që e kanë përcaktuar se kush do t’i qeverisë në katër vjetët e ardhshme”.
Ai gjithashtu foli edhe për mundësinë që rezultatet e zgjedhjeve lokale të ndikojnë në afrimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
“E kam të vështirë ta them se a do të reflektojnë këto rezultate në zgjedhje nacionale. Varet nga shumë zhvillime, por është një reflektim pozitiv në zhvillimet politike që do të ndodhin në Kosovë dhe për Kosovën. Mendoj se kjo është kryesorja”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës.