I dhanë shans paqes

Vjet, Paul McCartney e pranoi se ndarja e The Beatles nuk kishte ndodhur për fajin e Yoko Ono. Dje, Ono u falënderua për këtë shfajësim. Paqe.

ShowBiz

23/10/2013 00:00

Më në fund, 43 vjet pas ndarjes, paqja mbretëron në taborin e The Beatles.

Vitin e kaluar, Paul McCartney e pranoi se ndarja e bendit – më 1970 , nuk kishte ndodhur për fajin e Yoko Ono, e cila u martua me John Lennon më 1969.

Tash, Ono thotë se është falënderuese për fjalët e McCartney.

Në një intervistë për gazetën britanike Times, ajo e ka komentuar qëndrimin e McCartney.

“Isha shumë, shumë falënderuese. Isha e shokuar. Mendova: ‘Tash po e thua këtë? Tash, pas 40 vitesh?’. Por, ishte shumë e mirë. Në atmosferën të cilën bota e krijoi rreth nesh, ai nuk e kishte të lehtë ta thoshte një gjë të tillë”.

Ono tha se pas ndarjes së The Beatles, urrejtja ndaj saj u shndërrua në faktorin kryesor të zhvillimit si artiste në vitet e mëpastajme.

“Po filloj të kuptoj diçka të rëndësishme. Nëse gjithë ata njerëz nuk do t’më kishin kritikuar aq fort, çfarë do të isha duke bërë tash?”.

“Personi që jam sot është krijuar prej krejt atyre incidenteve të tmerrshme. Për gjithë këto vite kam besuar se vërtet ishte e tmerrshme, por kur e mendoj tash, e kuptoj se ishte një bekim”.

 

A.M.

John Lennon – Woman