Hyseni në Austri lobon për anëtarësim në Interpol
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, po qëndron për vizitë pune në Austri, ku ka shfrytëzuar rastin që të lobojë për anëtarësim më të shpejtë në Interpol dhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Europolin.

Lajme
Siç njoftoi MPB, Hyseni në St. Polten të Austrisë, po qëndron për të marrë pjesë në Konferencën ministrore të Forumit të Salsburgut mbi çështjet e migrimit, azilit, sigurisë dhe bashkëpunimit policor, si dhe luftën kundër terrorizmit, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Austrisë, njoftoi MPB.
Përveç në këtë konferencë, sipas njoftimit, Hyseni po merr pjesë edhe në takimin e 13-të të Këshillit të Ministrave të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, nikoqir i së cilës është Ministri i Punëve të Brendshme të Hungarisë.
Në të dy takimet Ministri Hyseni është paraqitur me nga një fjalë rasti, fillimisht për problematikën e migrimit gjatë muajve të fundit në Kosovë, e pastaj për rëndësinë e një bashkëpunimi të shtuar policor midis Policisë së Kosovës dhe mekanizmave rajonalë e ndërkombëtarë.
Ministri Hyseni ka shfrytëzuar rastin që në margjinat e konferencës të bisedojë me ministrat e Punëve të Brendshme të Austrisë, Hungarisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL-it z. Jurgen Stock dhe drejtorin e EUROPOL-it z. Rob Wainwright.
Në një bisedë të shkurtër me drejtorin e EUROPOL-it, Ministri Hyseni ka theksuar nevojën e avancimit të bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it dhe ka shtruar kërkesën që edhe me Kosovën EUROPOL-i të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi, njësoj sikurse me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, në komunikimin e tij të shkurtë me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL-it, Ministri Hyseni ka shfaqur shpresën dhe ka kërkuar që aplikacioni për anëtarësim në INTERPOL, të cilën Kosova tashmë e ka dërguar, të trajtohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv, njoftoi MPB