Hovenier: Përfundimi i procesit të dialogut duhet të jetë njohja reciproke, jo diçka më pak

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka qenë sot pjesëmarrës në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2024 në Prishtinë. Me këtë rast ambasadori amerikan ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe jo “diçka më pak se kjo”. Hovenier tha se duhet të ketë angazhim kolektiv…

Lajme

11/06/2024 12:08

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka qenë sot pjesëmarrës në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2024 në Prishtinë.

Me këtë rast ambasadori amerikan ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe jo “diçka më pak se kjo”.

Hovenier tha se duhet të ketë angazhim kolektiv për sfida politike, si dialogu.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Europë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe, sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”, tha Hovenier .

Ambasadori Hovenier ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të dialogut, transmeton lajmi.net.

“Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, shtoi ai.

Hovenier përsëriti qëndrimin e se SHBA-ja nuk pajtohet me një deklaratë të miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe Republika Srpska ku Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

”Ne shprehim shqetësimin tonë për një deklaratë të një Kuvendi panserb që thotë se Kosova është në njëfarë mënyre e kam harruar shprehjen që kanë përdorur më duket ‘pjesë e pandarë e Serbisë’”.

”Mund të them vetëm këtë se ky nuk është qëndrimi i vendit tim apo i partnerëve. E kemi njohur Kosovën, si vend të pavarur sovran, demokratik dhe kjo s’është për debat, e as nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet dhe të kremtohet”, shtoi ai./Lajmi.net/