Hoti: Pushteti i ri lokal në veri duhet të reflektojë vullnetin e qytetarëve
Profesori Afrim Hoti, në një linjë direkte nga Amerika ka thënë se pas marrjes së detyrës së re nga katër kryetarët e Listës Serbe në veri të Mitrovicës, procesi po merr zgjidhjen e duhur, ku pushteti në ato komuna duhet të reflektojë përbërjen e qytetarëve të vet. “Definitivisht situata paraprake ishte e rëndë dhe mbi…
Lajme
Profesori Afrim Hoti, në një linjë direkte nga Amerika ka thënë se pas marrjes së detyrës së re nga katër kryetarët e Listës Serbe në veri të Mitrovicës, procesi po merr zgjidhjen e duhur, ku pushteti në ato komuna duhet të reflektojë përbërjen e qytetarëve të vet.
“Definitivisht situata paraprake ishte e rëndë dhe mbi bazën e saj pastaj u morën edhe vendime jo të mira në raport me Qeverinë, respektivisht popullin e Kosovës”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se shpreson që verdikti i fundit të reflektojë parimisht vullnetin qytetar.
“Unë dua të shpresoj që verdikti i fundit parimisht të reflekton vullnetin qytetar, vullnet i cili do të duhej të ishte i përzier dhe që do të qeveriset në të ardhmen në mes të shqiptarëve dhe serbëve”.
Hoti ka theksuar se vizitat e faktorit ndërkombëtar në veri tregojnë shenjat e para të kthimit drejt normalitetit.
“Pushteti lokal është niveli i parë ku qytetari e takon shtetin dhe se situata para këtyre zgjedhjeve normalisht nuk ishte e mirë, nuk reflektonte parimisht atë që pritet, kryesisht nga bashkësia ndërkombëtare, me theks të posaçëm nga BE”.
Ai ka komentuar edhe masat dhe sanksionet kundër Kosovës, duke thënë se ato ishin marrë mbi prezumimin se një komunitet, një pakicë e caktuar, ishte privuar nga e drejta për t’u integruar në institucionet shtetërore.
Tani pas zgjedhjeve, Hoti tha se ekziston mundësia për një komunikim “më normal” mes Prishtinës dhe këtyre komunave, si dhe mes Prishtinës dhe Bashkimit Evropian.
“Edhe pse situata duket që jep sinjale pozitive, mendoj që këtu flasim për një proces paksa më të komplikuar dhe ky komplikim lidhet me dy pika kryesore. E para, me normalizimin e tërësishëm dhe të plotë të raporteve mes pushtetit lokal dhe pushtetit qendror në Kosovë… E dyta, mendoj që këto janë sinjale që po ashtu do të vazhdojnë të përcillen nga diplomatë të huaj e në veçanti për vendet e BE-së… Megjithatë unë dua të besoj që ky është një sinjal i mirë, pozitiv dhe se gjërat, nëse jo përmes një vendimi, përmes një momentum të caktuar në një periudhë jo shumë të gjatë do të bien në vend”, ka thënë Hoti./dukagjini