Hoti: Nuk do të bëj gabim të zgjedhim në mes SHBA-së dhe Evropës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk do të bëj gabim që të punohet vetëm me njërën palë, Evropën apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në cështjen e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme
“Nuk do të bëjmë gabim të zgjedhim në mes SHBA-së dhe Evropës. Nuk do ta bëj gabimin që të themi se jemi me atë apo këtë. Ne jemi me të dyjat. Mirëpo nuk do të hyjmë as pa rolin e Uashingtoni. Ka një interesim të jashtëzakonshëm nga Uashingtoni për ta kryer marrëveshjen”, është shprehur Hoti.
Hoti gjithashtu ka thënë se ka qenë shumë komod dhe nuk ka pasur asnjë dyshim në votimin e qeverisë, duke qenë plotësisht i bindur se votimi i qeverisë do të kalojë.
“Kam qenë plotësisht komod në votimin e qeverisë, nuk kam pasur asnjë dyshim në votimin e qeverisë”, është shprehur Hoti.
Tutje, ai komentoi edhe veprimin e kryeparlamentare Vjosa Osmani, e cila refuzoi të udhëheq seancën e Kuvendit në votimin e qeverisë.
“Besoj që i ka takuar, është dashtë, është obligim kushtetues ta udhëheq seancën. Mirëpo kjo nuk më ka zemëruar aspak sepse ka të drejtë t’ia kalojë edhe zëvendësve të vet udhëheqjen e seancës”, ka thënë Hoti në RTK.
Ai gjithashtu foli edhe për rastin e ish-kryeministrit, i cili nuk e priti Hotin në zyre që t’ia dorëzojë postin.
“Ish-kryeministri nuk ishte në zyrë. Unë mendoj se kjo nuk tregon aspak kulturë institucionale. Unë në të ardhmen do t’ia dorëzoj dikujt tjetër, duhet të pajtohemi me rotacionet e pushtetit”, shtoi Hoti.